Si çdo vit tjetër në qytetin e Peshkopisë është zhvilluar panairi Agro-Bujqësor “Festa e të vjelave”, ku marrin pjesë fermerë nga e gjithë Bashkia e Dibrës, por jo vetëm.
Gazetari Enver Doçi raporton për Balkanweb se qëllimi i këtij panairi mbetet promovimi i prodhimeve agro-bujqësore të zonës. Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu tha se duhet një bashkëpunim i të gjithë aktorëve për t’ju ardhur në ndihmë fermerëve.
Sipas tij, bashkia do të jetë pranë fermerëve me përmirësimin e infrastrukturës që do t’ju mundësojë atyre transport më të lehtë dhe pa kosto të shtuar të prodhimeve bujqësore.
Fermerët u paraqitën në këtë panair me prodhime të ndryshme që nga ato të frutikulturës e deri tek gatimet tradicionale, por nuk munguan as produktet artizanale, të cilat punohen me mjeshtëri nga banorë të ndryshëm të Dibrës. Fermerët e Dibrës kërkojnë më shumë mbështetje si një treg dhe ambiente frigoriferike për të ruajtur prodhimet e tyre.
(Balkanweb)