TIRANE- “Gjatë këtij sezoni turistik, deri më tani, nuk kemi pasur ngjarje të rënda kriminale”, tha të enjten drejtori për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka.

Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, tashmë Drejtor i Rendit dhe i Sigurisë, mori pjesë një takim ndër institucional drejtuar nga ministri i Mjedisit Blendi Klosi. Në këtë takim merrnin pjesë edhe drejtori i AKU-së dhe drejtorët Tatimeve.

Gjatë fjalës së tij, Loka tha se deri më tani nuk janë shënuar ngjarje të rënda, dhe kjo edhe falë masave të marra nga policia.

Sipas Lokës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka nisur zbatimin e planit të masave për të përforcuar mbikqyrjen dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë në zonat turistike, sipas urdhërit të shpërndarë nga kryeministri.

“Secili nga ne e ka të qartë detyrën dhe do i shkojmë deri në fund çdo ngjarje. Është e rëndësishme të themi se deri më tani s’kemi pasur asnjë ngjarje të rëndë. Policia ka punuar me planin e përforcuar të masave, që prej muajit shkurt, duke hapur posta policore në zonat turistike dhe me dendësi të lartë, nga Thethi e duke zbritur në Dhërmi e deri në skajin më Jugor. Këtë vit është shtuar dhe stacioni policor i Tales, ndërsa është forcuar dhe kontrolli në akset rrugore”, tha Loka.

“Kemi shtuar gjithashtu numrin e sporteleve në zonat kufitare për të rritur shpejtësinë e veprimtarisë dhe ulur kohën e pritjes për pushuesit. Po ashtu kemi vendosur struktura të gatshme operacionale në çdo njësi vendore që lidhet me turizmin dhe ku dendësia turistëve të huaj dhe vendas është e lartë”, vijoi Loka.

Sipas tij, ëshët rritur numri forcave policore në zonat turistike. “Duke parë nevojën për një numër të shtuar në zonat turistike, policia ka vendosur transferimin e disa punonjësve nga zonat me dendësi më të vogël, në zonat ku falë turizmit dendësia rritet disa fish dhe nevojtet një numër i shtuar i forcave policore”, vijoi Loka.

Ai tha se me rëndësi është bashkëpunimi me institucionet e tjera ligjzbatuese dhe vetë qytetarët. “Të gjithë qytetarët janë të lutur të na njoftojnë në numrin 112 pa pagesë për çdo shqetësim. Ne do i shkojmë deri në fund çdo ngjarje. Jemi vigjilent në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe vijmë në ndihmë të institucioneve të tjera ligjore për zbatimin pikërisht të ligjit”, tha Loka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb