Kur kanë mbetur rreth një muaj deri në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në Shqipëri kanë arritur fletët e votimit për diasporën. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka sqaruar procedurën e përgatitjes së këtyre fletëve disa ditë më parë.
Ai ka theksuar se, pas mbërritjes së fletëve të votimit, do të fillohet me përgatitjen e zarfeve dhe të gjithë dokumentacionit të nevojshëm.
“Rreth datave 7-8 prill do t’i kemi këtu fletët e votimit për votimin nga jashtë, ndërsa në 8-9-10 do të fillojmë përgatitjen e zarfeve dhe gjithë dokumentacionin për votuesit jashtë vendit, duke shpresuar që ky proces të realizohet brenda datës 15 ose 17 prill në afatin maksimal.
Më pas, do të ketë kohë e mjaftueshme për t’i sjellë në KQZ deri në orën 19:00 të datës 11 maj,” deklaroi Celibashi më 2 prill.
I gjithë procesi për përgatitjen e dokumentacionit zgjedhor do të monitorohet me kamera 24/7.
Mësohet se dërgimi i zarfeve me fletën e votimit parashikohet të përfundojë më 17 Prill. Diasporës do t’i mbërrijnë fletët për 1-3 ditë.
Numri i emigrantëve të regjistruar zyrtarisht në listën e zgjedhësve nga jashtë është 245,808 persona.
Ndërsa, sipas regjistrit të publikuar nga KQZ, të total, numri i personave me të drejtë vote brenda dhe jashtë vendit për zgjedhjet e 11 majit është 3,713,761.
Votues për herë të parë në 11 maj janë 114,642 zgjedhës.
(BalkanWeb)