TIRANE – Ka mbërritur sot në kryeqytetin shqiptar ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. Ambasadori ka zbritur pasdite në Aeroportin e Rinasit, bashkë me familjen e tij, ku është pritur nga stafi i Ambasadës Amerikane. “Bashkohuni me ne dhe le t’i urojmë Ambasadorit Donald Lu mirëseardhjen në Shqipëri.”- shkruhet në faqen zyrtare të Ambasadës në “Facebook”, ku janë publikuar edhe disa fotografi të momentit kur ambasadori Lu ka shkelur tokën shqiptare.

Pak përpara mbërritjes në Tiranë, ambasadori i ri amerikan Donald Lu zgjodhi një prezantim krejt ndryshe nga paraardhësit e tij, nëpërmjet një videomesazhi drejtuar popullit shqiptar, nga ku ai fliste në gjuhën shqipe.
“Mirëdita, quhem Donald Lu dhe jam shumë i gëzuar që Presidenti Obama më ka zgjedhur mua si ambasadorin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Si shumë amerikanë, edhe unë jam djali i një emigranti. Babai im erdhi në Amerikë nga Kina dhe ka punuar shumë për t’u dhënë fëmijëve të tij mundësi, që ai vetë nuk i ka pasur kurrë. Ajo ishte ëndrra e tij amerikane. Unë e di që t’u sigurosh një të ardhme më të mirë fëmijëve tanë është një ëndërr, që amerikanët dhe shqiptarët e ndajnë me njëri-tjetrin. Si ambasador jam i angazhuar të mbështes përpjekjet e popullit shqiptar në ndërtimin e institucioneve demokratike. Ta bëjmë Shqipërinë një aleat më të fuqishëm të NATO-s dhe të punojmë me Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ariel është gruaja ime dhe do të vijë me mua në Shqipëri, së bashku me fëmijët. Mirëdita (përshëndet e shoqja). Jam rritur në Kaliforninë e Jugut, pranë njërit prej plazheve më të bukura në Amerikë. Arielës dhe mua na pëlqejnë të ngjitemi në mal dhe të luajmë me dy fëmijët tanë në plazh. Sapo të mbërrijmë në Tiranë kemi në plan të vizitojmë malin e Dajtit, si dhe bregdetin tuaj të mrekullueshëm. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë shumë të përbashkëta, por gjithashtu kemi edhe shumë gjëra për të bërë së bashku. Pres me kënaqësi t’iu takoj në Shqipëri dhe të dëgjoj mendimet tuaja për ato që mund të arrijmë bashkë. Mirupafshim dhe shihemi së shpejti”, – shprehet në videomesazh ambasadori Donald Lu.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: