TIRANË- Mbesa siguron urdhër mbrojtjeje nga xhaxhai. Vajza M.T. ka deklaruar para gjykatës se xhaxhai i saj A.G., dhunonte atë dhe familjen e saj.

“A.G. është xhaxhai im. Jetojmë në një shtëpi private të përbashkët, por me hyrje më vetë nga njëri-tjetri. Ai inatin e ka me familjen tonë. Shkak për inatin e tij ndaj nesh është çështja e shtëpisë dhe bizneseve që ka babai im. Ai vjen na kërcënon. I shkon mamasë sime para dyqanit dhe nuk i lë gjë pa thënë. Ka ardhur në shtëpi, ka dhunuar fizikisht babain tim. E kemi denoncuar disa herë. Ai është i sëmurë mendor. Kohët e fundit ai ka filluar të na dhunojë psikologjikisht, duke na ofenduar, duke na bërë presion pa asnjë shkak. Kam pasur urdhra të tjerë të mbrojtjes ndaj A., sepse kemi pasur probleme me të. Paditëse ka qenë mamaja ime dhe urdhri i ka pasur efektet edhe për mua dhe babain tim deri në datën 16.07.2015. Ai e ka shkelur urdhrin e mbrojtjes, unë e kam denoncuar dhe ka nisur një procedim penal ndaj tij. Sa herë që kalojmë ne për të hyrë në shtëpi, ai fillon shan dhe kërcënon. Edhe rasti i fundit i konfliktit ka qenë për shkak se A., kishte hedhur ujë te ballkoni ynë, në mënyrë që të na provokonte. Që nga data e lëshimit të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes situata është e njëjtë. Gjatë kësaj kohe ai provokon në forma nga më të ndryshmet. Kjo tregon se urdhri i mbrojtjes është i domosdoshëm për qetësimin e marrëdhënieve midis nesh, prandaj kërkoj të vazhdohen efektet e tij, për të evituar mundësinë e dhunës në të ardhmen. I kërkoj gjykatës që të marrë këto masa mbrojtëse, që A.G. të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër dhune në familje ndaj meje, paditëses M.T., bashkëshortit tim G.T. dhe prindërve të mi, P.G. dhe R.G.”, – shprehet vajza para gjykatës.

Pasi ka dëgjuar pretendimet e paditëses dhe ka shqyrtuar të gjitha provat, gjykata ka vendosur të firmosë urdhrin e mbrojtjes për M.T., duke urdhëruar xhaxhain e saj A.G., të mos kryejë vepër dhune ndaj mbesës, bashkëshortit e prindërve të saj, të qëndrojë ndaj tyre në një distancë prej 100 metrash, të mos komunikojë, kërcënojë apo ngacmojë ata. 

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb