Fatkeqësia e madhe natyrore që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës, bëri bashkë popullin shqiptarë nga çdo cep i globit përmes ndihmës konkrete dhe solidarizimit të tyre të pashoq.

Menjëherë pas katastrofës e gjithë Shqipëria u sensibilizua për mbledhjen ndihmave për familjet e prekura nga tërmeti në Durrës e Thumane. Në çdo shesh, apo edhe nëpër lagje u vendosën pika ku qytetarët dërgonin ushqime, veshmbathje dhe çdo gjë të dobishme për banorët e prekur nga tërmeti.

Në këto orë të vështira për vendin tonë pamë ndihmën e pakushtëzuar që na dhuruan vëllezërit dhe motrat nga Kosova, të cilët treguan një mobilizim të jashtëzakonshëm, ku dhjetëra kamionë e autobusë janë nisur nga Kosova për në Shqipëri përgjatë këtyre ditëve, për të dërguar ushqim e veshmbathje.

Përveç ndihmave materiale, kosovarët i kanë hapur dyert e shtëpive, restoranteve, hoteleve e bizneseve tjera për t’i strehuar të prekurit nga tërmeti.
Solidarizimi dhe ndihmat i kanë kaluar kufijtë kombëtarë, ku vende të ndryshme si Italia, Greqia, Kosova, Maqedonia, Rumania, Turqia, etj kanë dërguar ekspertët dhe ekipet e tyre të shpëtimit të cilat kanë dhënë një kontribut të madh në shpëtimin e jetëve dhe nxjerrjen e trupave nga rrënojat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: