Një grup i madh donatorësh që mbështet kandidatin e pritshëm republikan presidencial Donald Trump, grumbulloi afro 70 milionë dollarë fonde muajin e kaluar dhe planifikon të shpenzojë 100 milionë dollarë për reklama gjatë verës në shtetet vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, sipas një dokumenti që e ka parë agjencia Reuters.

Dokumenti i 4 qershorit, i hartuar nga shefi ekzekutiv i grupit MAGA Inc. Taylor Budowich, detajon planet për shtetet e Pensilvanisë, Xhorxhias, Nevadës dhe Arizonës – ku ish-presidenti Trump humbi në vitin 2020 ndaj Presidentit të Shteteve Bashkuara, demokratit Joe Biden, por ku disa sondazhe tregojnë se zoti Trump kryeson para zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Zoti Budowich e vë theksin në veçanti tek shteti i Xhorxhias si “mundësia më e mirë” për zotin Trump që të sigurojë votat e nevojshme të kolegjit elektoral.

Grupi politik republikan tha se do të punonte për të dobësuar shanset e Presidentit Biden për fitore në zgjedhjet presidenciale, si në nivel gjeografik ashtu edhe atë demografik.

Sipas dokumentit të hartuar nga zoti Budowich ka pasur një rritje të mbështetjes së zotit Trump në mesin e votuesve afrikano-amerikanë, votuesve hispanikë meshkuj dhe votueseve të bardha femra në zonat e periferisë.

“Ky ndryshim nuk është vetëm i ndjeshëm në planin statistikor, por përbën gjithashtu një krizë ekzistenciale për ekipin (presidentit) Biden”, thuhet në dokument.

Sipas një sondazhi të kryer në maj nga agjencia Reuters dhe organizata e sondazheve Ipsos, Presidenti Biden po humb mbështetje mes votuesve pa arsim të lartë, një grup i gjerë që përfshin afrikano-amerikanë, gra hispanike, votues të rinj dhe gratë në zonat periferike.

Ekipi elektoral i zotit Bidenit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Kontributet e konsiderueshme të mbledhura në maj nga MAGA Inc. tregojnë përmirësimin e ndjeshëm të aftësive për të grumbulluar fonde nga ekipi i zotit Trump, pasi fillimisht ishte në disavantazh në këtë drejtim ndaj zotit Biden.

Në prill, ish-presidenti Trump grumbulloi për herë të parë më shumë fonde sesa zoti Biden që kur filloi fushata, falë disa aktiviteteve madhore në shkallë kombëtare.

Donatorët e fuqishëm republikanë kanë konsoliduar gjithashtu mbështetjen ndaj zotit Trump pasi ai u shpall fajtor për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave të biznesit, në një skemë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016.

Ata kanë premtuar të japin miliona dollarë për amerikanin e parë që shpallen fajtor që kandidon për Shtëpinë e Bardhë.

Fushata e zotit Trump dhe Komiteti Kombëtar Republikan thanë të hënën se kishin grumbulluar 141 milionë dollarë në maj, gati dyfishi i shumës së mbledhur një muaj më herët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb