Numri i amerikanëve që mbështesin presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rënë për 3 përqind, duke shënuar rezultatin më të ulët të vitit. Sondazhi i realizuar nga Reuters/Ipsos, u mbajt menjëherë pas publikimit të raportit të Këshilltarit të Posaçëm, Robert Mueller, lidhur me ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale në SHBA.


Ky sondazh, që u realizua të enjten, është i pari në nivel kombëtar, që bën matjen e mbështetjes së popullit amerikan pas publikimit të raportit që përbëhet nga 448 faqe, që numëron shumë raste të ndërhyrjes së mundshme të presidentit Trump në hetimet e ndikimit rus.


Sipas sondazhit, vetëm 37 përqind e moshës madhore në SHBA, kanë treguar mbështetje për presidentin Trump, në krahasim me 40 përqind të përkrahjes që kishte dalur në sondazhin e kaluar, të realizuar më 15 prill.


Në raport, Këshilltari i Posacëm, Robert Mueller, tha se hetimet nuk tregojnë se Rusia ka pasur ndikim në fushatën presidenciale të Trumpit. Por, hetuesit kanë hasur “në disa raste kur presidenti ka tentuar të ndikojë në hetime të nivelit të lartë”.

Sondazhi i Reuters/Ipsos është zhvilluar në mënyrë elektronike në tërë SHBA-në. Sondazhi tregon se 50 përqind e amerikanëve mendojnë se presidenti Trump apo dikush nga fushata e tij, ka bashkëpunuar me Rusinë në zgjedhjet e vitit 2016.