Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në afërsi të qytetit të Vlorës, ku shtetasi i identifikuar si Kristian Marku është ekzekutuar me armë zjarri.

Raportohet se ai ishte i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale dy vjet më parë, në mars 2023, ku u përball me akuza për tentativë vrasje në bashkëpunim, kur së bashku me persona të tjerë ai ka hapur zjarr drejt makinës së Saimir Reçit, teksa ky i fundit ndodhej brenda saj.

Ngjarja e vitit 2023 kishte ndodhur në qytetin e Rrëshenit. Kristian Marku ishte një nga personat e përfshirë në këtë ngjarje dhe u akuzua së bashku me të afërm të tij, për tentativën e vrasjes së Saimir Reçit.

Sipas hetimeve të bëra nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ngjarja kishte ndodhur pas një përplasjeje mes Saimir Reçit dhe disa anëtarëve të familjes Bardhi, përfshirë edhe Kristian Markun alias Kristi Bardhi, ku ata kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të Reçit.

Reçit u shpëtoi plumbave pasi ndodhej në automjetin e tij të blinduar.

Kristian Marku dhe të afërm të tij u akuzuan për “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.

Në lidhje me vrasjen e tij sot, hetuesit kanë nisur hetimet dhe janë duke mbledhur prova për të sqaruar rrethanat e atentatit. Policia ka ngritur një grup hetimor dhe po kontrollon zonën ku u gjet i pajetë 30-vjeçari, në afërsi të fshatit Novoselë në aksin Fier-Vlorë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb