VLORË

Gjykata e Vlorës ka dhënë masat e arrestit për 6 të arrestuarit gjatë operacionit ku u kapën mbetjet e rrezikshme në Vlorë.

Nga 6 të arrestuarit Gjykata ka vendosur arrest me burg për pronarin e firmës së grumbullimit, Zamir Kornuzin, zëvendës kapitenin e tragetit St Damian Kujtim Xhaferllarin si dhe për shoferin e furgonit Arbër Çunin.

Në arrest shtëpie janë lënë kapiteni i tragetit Festim Tafa, dhe Elisabeta Çuni administratorja e firmës së pastrimit ”Delfini 1”.
Kurse drejtori operativ i agjencisë së biletave është lënë në detyrim paraqitje.

Ndërkohë gazetari Enrik Mehmeti raporton për BalkanWeb se Elisabeta Çuni pas seancës ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Më 20 shkurt Policia zhvilloi operacionin ”Amiant” ku në tragetin St Damian të linjës Brindisi- Vlorë u bllokuan fuçi dhe qese të cilat dyshoheshin se kishin përmbajtje të rrezikshme. Firma ”Delfini 1” i sillte këto produkte për pastrim kimik sipas saj kurse dyshohet se këto mbetje do të depozitoheshin në Shqipëri.

Mediat italiane zbuluan se ishin kryer dhe të paktën 15 importime të tjera nga Italia ndërsa analizat laboratorike treguan se këto mbetje nuk kishin përmbajtje radioaktive.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb