Në hyrje të portit të Durrësit po protestohet nga opozita dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, kundër kontenierëve që dyshohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme, dhe që pritet të mbërrijnë mëngjesin e së hënës në këtë port.
Një prej të pranishmëve në protestë tha se mbetjet kimike duhet të trajtohen sipas protokolleve. “Ato janë të dëmshme, nuk zgjedhin, dëmtojnë shëndetin e gjithkujt, ndaj dhe sot ne protestojmë, të gjithë qytetarët duhet të protestojnë”, tha ai.
Ndërsa një tjetër pjesëmarrëse, u shpreh se fakti që kjo sasi mbetjesh është kthyer mbrapsht tregojnë sa të rrezikshme janë. Ajo kërkoi nga qytetarët e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë që të reagojnë fort.
Ambientalisti Sazan Guri u shpreh se sot duhet të reagojnë qytetarët, prindërit e çdo fëmije.
“Mos rrini në kafe në këtë ditë, jeni zëri i një prindi dhe kryefamiljari që kemi për detyrë të reagojmë ndaj këtyre mbetjeve të rrezikshme.
Edhe djalli ta organizonte këtë protestë do të vija, sepse jam i bindur se çfarë i ndodh vendit nga kjo gjëmë”, tha Guri. Ai kërkoi që këto mbetje t’i nënshtrohen analizave për të parë se çfarë përbërjesh kanë, pasi edhe nëse groposen ato mund të dëmtojmë gjithçka.
Një tjetër pjesëmarrës, përfaqësues i PAA-së, tha se Shqipëria nuk mund të trajtohet si një vend ku mund të depozitohen mbetje të rrezikshme. “Qytetarë reagoni, protestoni”, tha ai.
Anija “Moliva” që dyshohet se transporton kontenierët me rreth 2100 tonë mbetje të rrezikshme, pritet të hyjë në radë në portin e Durrësit mëngjesin e së hënës.
Gazetarja e News24, Klodiana Haxhiaj, referuar burimeve nga Dogana, shprehet se kjo është e vetmja anije që transporton kontenierë dhe është e vetmja që vjen në port.