TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, i cili ka qenë edhe iniciatori për ligjin e mbetjeve të votuar dje në Parlament, ka shpjeguar sot arsyet se pse ka bërë këtë propozim. Duke bërë krahasimin me situatën në të cilën ndodhej vendi në 2011 kur u miratua një ligj i tillë nga Qeveria Berisha, kohë kur PS votoi kundër, Shalsi thotë se tashmë në Shqipëri ka shumë faktorët që kanë ndryshuar.

Sipas Shalsit, tashmë në vendin tonë është krijuar një hartë dixhitale e mbetjeve, dhe së shpejti do të fillojë edhe strategjia e menaxhimit të mbetjeve. Ndërkaq, deputeti socialist thotë se Qeveria Rama ka ngritur një Inspektoriat Mjedisi, si dhe një laborator pranë Agjencisë Kumbare të Mjedisit.

“Kishte shumë emra tanët në kazanët e mbeturinave, pas thirrjes së një deputeti. Protestuesit vepruan pas kësaj deklarate. Pyetja që shtrohet është çfarë ka patur para 2013 dhe çfarë do ketë pas 2016? Niveli i këtij debati ka qenë i ulët. Do doja të flisnin përfaqësuesit e fushës, ne politikanët dhe shoqëria civile, apo edhe të tjerët me radhë. Nuk ka patur një politikë për menaxhimin e mbetjeve në vend. Për Reduktim, riciklim dhe ritrajtim duhet informacion. në 2013 nuk kishte një model të vetëm nëpër bashki sesi bëhej menaxhimi i mbetjeve.

Në 2013 Shqipëria nuk kishte një hartë dixhitale, apo një infromacion të qartë të përdorur mbi mbetjet në Shqipëri. Në 2013 kam qenë kundër, pasi nuk jepeshin mekanizmat sesi do të bëhej trajtimi i mbetjeve. Pushteti vendor, i cili ka qenë i fragmentarizuar, nuk ka patur asnjë informacion në lidhje me menaxhimin apo trajtimin e mbetjeve. Atëherë nuk kishte Inspektoriat Mjedisi, nuk ka patur laborator të specializuar siç kanë tashmë institucionet e monitorimit të mjedisit, uji, ajrit. Më parë situata ishte e pakontrolluar, dhe shumë ndryshe nga sa është tani.

Sot që flasim mbi bazën e një materiali që është u për 1 vjet, kemi një hartë dixhitale të mbetjeve. Brenda 2-3 muajve fillon edhe strategjia e menaxhimit të mbetjeve. Pra sot kemi një bazë informacioni të detajuar. Kemi një Inspektoriat Mjedisi, që nuk e kishim më parë. Kemi një laborator pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Kemi edhe një qeveri krejtësisht ndryshe në sjellje me mjedisin, jemi shumë më të ndërgjegjshëm. Moratoriumet kanë qenë të rëndësishme për të kaluar nga kaosi në rregull. Shoqëria Civile është përdorur nga opozita”, u shpreh deputeti Shalsi.

Përfaqësuesi i Agjencisë Kundër Importit të Plehrave, Lavdosh Ferruni tha se ishte e nevojshme që të mbahej referendum për këtë çështje. Sipas tij, Shoqëria Civile nuk duhet të ngatërrohet me politikën.

“Ne nuk kemi asnjë indicie nga politika për mbetjet. Mos na ngatërroni ne me politikanët, Shoqëria Civile nuk përdoret nga politika Ne kemi protestuar kundër kësaj çështje në të gjitha qeverisjet. E sot po protestojmë edhe ndaj jush. Qëllimi ynë është mbrojtja e mjedisit”, tha ambientalisti Ferruni.

“Në 3 vite nenet i hoqët dhe i vutë përsëri në ligj. Në korrik, i morët ato nene dhe i vutë siç i kishte Berisha. Pasi u konsultuat me ekspertët, edhe patë që ca gjëra nuk shkonin, morët bëtë ca amendamente. Ju mund të vazhdoni me idenë e zbutjes, por kjo nuk funksionon”, tha Ferruni.

Por sipas deputetit Shalsi, lista e gjelbër është reduktuar, dhe do të importohen vetëm karton, plastikë dhe alumin.

“Dogana shikon vendin e origjinës dhe cilësinë. Nëse do të ketë abuzime, do ndëshkohen. Pjesa e mbetjes është e papërfillshme, 0 deri në 3%”, tha Shalsi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb