Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka rikthyer edhe një herë në vëmendje emigrimin masiv dhe faktin që vendi po zbrazet.

Në një postim në Facebook, u shpreh se më e keqja është se modeli i pasurimit të shpejtë i implementuar nga pushtetarët ka deformuar edhe ambiciet e rinisë por edhe jetesës në Shqipëri.

Sula ka shtuar se rreth 1 mijë persona kanë hyrë në 72 orë në territorin britanik nga La Manche dhe edhe pse jo të gjithë janë shtetas shqiptarë, shifrat mbeten alarmante.

“Problemi është serioz dhe masat duhet të jenë të shpejta dhe drastike”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Shqipëria po zbrazet!
Shqipëria po përjeton një nga periudhat më të errëta të zbrazjes. Përkeqësimi i jetesës vit pas viti në dekadën e fundit ka ngritur shqiptarët në këmbë për të braktisur vendin.
Më e keqja është se modeli që kanë mbjellur pushtetarët e korruptuar, atë të pasurimit të shpejtë ka deformuar edhe ambiciet e rinisë por edhe jetesës në Shqipëri.
Paratë e korrupsionit dhe drogës e kanë bërë Shqipërinë të pajetueshme për punonjësit e ndershëm, për intelektualët, për të rinjtë që fillojnë një punë pasi mbarojnë studimet. Ky fenomen ka ngritur rininë në këmbë për të braktisur vendin dhe askush spo i frenon dot.
Mediat britanike shkruanin dje se mbi 1000 emigrantë hynë në territorin Britanik nga Kanali i Lamanshit në 72 orët e fundit. Këto janë shifra alarmante.
Mund të ketë zëra se ata 1000 nuk janë të gjithë shqiptarë, por shifrat e INSTAT tregojnë se Shqipëria po zbrazet shpejt. Ndaj sipas këtyre të dhënave, e vërteta është e thjeshtë për tu kuptuar.
Popullsia e Shqipërisë u reduktua edhe mbi 31.8 mijë persona, apo rreth 1.1%, në vitin 2022, por disa qarqeve patën rënie gati tre herë më shumë se mesatarja kombëtare.
Problemi është serioz dhe masat duhet të jenë të shpejta dhe drastike!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb