Kortezhi i gjatë i besimtarëve nga e gjithë bota që kanë mbërritur në Romë, në Bazilikën e Shën Pjetrit, për të bërë homazhe për Papa Françeskun vazhdon edhe sot.

Gjithashtu mbrëmë dyert e Bazilikës qëndruan të hapura deri në orën 2:30 për të lejuar pelegrinët t’i japin lamtumirën e fundit Atit të Shenjtë, duke u rihapur në orën 5:40 të mëngjesit të sotëm.

Më shumë se 128,000 besimtarë kanë bërë homazhe për Papa Françeskun, bëri të ditur përmes një deklarate zyra e shtypit e Vatikanit.

Screenshot 279
Screenshot 279

Sheshi po përgatitet të presë një fluks të madh për varrimin që do të bëhet nesër në orën 10:00.

Në fund të ceremonisë, arkivoli do të transferohet në Bazilikën e Santa Maria Maggiore për varrim. Arkivoli do të varroset në një varr të thjeshtë, i vendosur midis Cappella Paolina dhe Cappella Sforza, në përputhje me dëshirat e shprehura nga vetë Papa.

Nga mëngjesi i së dielës, pelegrinët dhe besimtarët do të mund të vizitojnë varrin.

Papa Francesku ndërroi jetë të hënën, 21 prill 2021, për shkak të një goditje cerebrale. Për më shumë se një muaj (14 shkurt – 23 mars), Ati i Shenjtë u trajtua nga pneumonia në poliklinikën Gemelli. Javët e fundit, Papa Françesku kishte kufizuar angazhimet e tij, por të dielën e Pashkëve ai u takua për disa minuta me zv/presidentin e SHBA, JD Vance dhe mori pjesë në bekimin “urbi et orbi”. “Të dashur vëllezër dhe motra, Gëzuar Pashkët. Ngarkoj Mjeshtrin e Ceremonisë që të lexojë mesazhin”, ishin fjalët e Atit të Shenjtë që ia kishte lënë leximin e mesazhit Imzot Diego Raves.

I lindur në Buenos Aires më 17 dhjetor 1936, Jorge Mario Bergoglio u zgjodh Papa më 13 mars 2013. Ai ishte Papa i 266-të i Kishës Katolike dhe Peshkopi i Romës. Gjatë pontifikatës së tij ai kreu disa reforma, përfshirë atë të departamenteve të Vatikanit dhe shpalli një jubile të jashtëzakonshëm në vitin 2015. Djali i emigrantëve nga Piemonte, babai i tij Mario, një kontabilist, punonte në hekurudha, ndërsa nëna e tij, Regina Sivori, kujdesej për shtëpinë dhe edukimin e 5 fëmijëve të saj. Në moshën 21-vjeçare, për shkak të një forme të rëndë të pneumonisë, i ishte hequr pjesa e sipërme e mushkërisë së djathtë. Pasi u diplomua si teknik kimik, në vitin 1958 ai vendosi të hynte në seminar dhe të fillonte rrugëtimin e tij edukues në “Shoqërinë e Jezusit”. Në vitin 1963 u diplomua për filozofi.

Ndërsa jepte letërsi dhe psikologji në një kolegj në Buenos Aires, ai u diplomua edhe në Teologji. Në vitin 1992 Papa Gjon Pali II e emëroi atë peshkop ndihmës të Buenos Aires, titullar i Aucas. Pas vdekjes së kardinalit Antonio Quarracino të Buenos Aires, ai e pasoi atë si kryepeshkop më 28 shkurt 1998 dhe në 2001 Gjon Pali II e emëroi atë kardinal. Nga viti 2005 deri në vitin 2011 ai ishte kreu i Konferencës Episkopale Argjentinase.

Në mars 2013, Bergoglio mori pjesë në konklava pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI: pas pesë votimesh ai u zgjodh Papë Suprem. Ishte një surprizë për të gjithë. Bergoglio është jezuiti i parë që u bë Papë, Papa i parë nga kontinenti amerikan dhe Papa i parë në histori që mund të bisedojë me paraardhësin e tij, Benediktin XVI.

Ai mori emrin Françesku për nder të Shën Françeskut të Asizit dhe vendosi të banonte në Santa Marta dhe jo në apartamentin papal në Pallatin Apostolik. Sa i takon temës së homoseksualitetit, Papa Françesku ka përsëritur vazhdimisht se ata që e kriminalizojnë janë “gabim” sepse “të jesh homoseksual nuk është krim”. Ai fliste për një raport tjetër për njerëzit e divorcuar dhe bën thirrje për vëmendje më të madhe ndaj bashkimeve civile, çifteve de facto dhe homoseksualëve. Ai gjithashtu krijoi një komision studimi mbi diakonatin e grave dhe mbajti një qëndrim të fortë në mbrojtje të migrantëve dhe u angazhua për të zhdukur abuzimin e fëmijëve brenda Kishës.

Në vitin 2021, Papa u përball me një ndërhyrje kirurgjikale e cila përfundoi me sukses. Në dhjetor 2022, Papa Françesku, në një intervistë për “Abc”, zbuloi se ai tashmë e kishte “nënshkruar dorëheqjen”. “Në rast pengese për arsye mjekësore apo çfarëdo, ja dorëheqja ime. E keni tashmë”.

Në vitin 2023, Papa u kthye në spitalin Gemelli për një tjetër operacion, gjithashtu i suksesshëm dhe pa komplikime. Gjithashtu në vitin 2023, Papa kaloi tre ditë në spitalin Gemelli për shkak të një infeksioni respirator. Më 24 dhjetor, Papa nisi zyrtarisht Romën Jubilare 2025 duke hapur Derën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit.

Ndërsa 2025 do niste me probleme serioze shëndetësore për Atin e Shenjtë ku pas trajtimeve mjekësore intensive do të ndahej nga jeta 4 ditë më parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb