Në Turqi vazhdojnë protestat masive pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, një prej kundërshtarëve kryesor të presidentit Recep Tayyp Erdogan. Imamoglu mbahet në burg për akuzat e korrupsionit.
Që nga 19 marsi, mijëra qytetarë, mbështetës të Imamoglu kanë dalë në rrugë për të demonstruar në mbështetje të tij. Në pranga nga policia turke janë vënë mbi 1400 protestues.
Këto janë protestat më të mëdha në vend në më shumë se një dekadë, pavarësisht ndalimi të demonstratave me urdhër të autoriteteve, ku p.sh në Ankara ndalohen protestat deri në mesnatën e 1 prillit.
Situata delikate me të cilën po përballet aktualisht Turqia ka pasoja edhe në ekonominë e saj.
Vendi tashmë ka inflacion vjetor shumë të lartë, i cili pavarësisht një tendence në rënie që nga arritja e pikut në 75% në maj 2024, ishte 39.05% muajin e kaluar. Pas arrestimit të Imamoglu, lira turke si dhe bursa, ranë në nivelet më të ulta historike kundrejt dollarit dhe euros. Megjithatë, falë masave të Bankës Qendrore dhe Ministrisë së Financave, pasojat e krizës duket se janë frenuar dhe çmimet e aksioneve janë përmirësuar.
Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu është arrestuar nën akuzën e korrupsionit dhe terrorizmit.
Imamoglu i Partisë Republikane Popullore (CHP), përballet me dy hetime të veçanta që përfshijnë gjithashtu akuza për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet dhe manipulim tenderash.
Sipas një deklarate të prokurorisë së Stambollit për hetimin e parë, gjithsej 100 persona, përfshirë gazetarë dhe biznesmenë, dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale në lidhje me tenderat e caktuar të dhënë nga bashkia.
Në hetimin e dytë përfshihet Imamoglu dhe gjashtë të tjerë për ndihmë ndaj Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet një organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.
Ndalimi erdhi një ditë pasi Universiteti i Stambollit anuloi diplomën e Imamoglut, me pretendimin se është false. Sipas universitetit, diploma përmban “gabime të dukshme”. Diploma nga Universiteti Amerikan Girne (GAU) në Qipron Veriore e lejoi atë të regjistrohej në Universitetin e Stambollit në vitin 1990, por që mund të mos konsiderohet e vlefshme në Turqi.
Imamoglu u zgjodh kryetar bashkie në 2019 dhe përsëri në 2024. Votimi i ardhshëm presidencial është planifikuar për në vitin 2028, por disa analistë thonë se Erdogan mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme, të cilat do ta lejojnë atë të anashkalojë kufijtë e mandatit.
(BalkanWeb)