Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos ndodhet ende në spital në gjendje të rëndë por të qëndrueshme, sipas raportimeve të fundit nga mediat në Greqi.
Sipas burimeve në spitalin Evangelismos, 95-vjeçari mbetet i intubuar, por në gjendje të qëndrueshme në njësinë e kujdesit intensiv, ku u shtrua të premten e kaluar pas operacionit që iu nënshtrua për të trajtuar gjakderdhjen gastrike.
Siç është bërë e ditur, Kryepeshkopi ka pasur gjakderdhje gastrike, të cilën mjekët që në momentin e parë u përpoqën ta trajtonin.
Kujtohet se Fortlumturia e Tij është shtruar në spitalin Evangelismos që nga data 3 janar, kur u transferua në Athinë nga Tirana me një avion të Forcave Ajrore.
Prej datës 30 dhjetor ai ishte i shtruar në një klinikë në Tiranë, ndërsa diagnoza fillestare ishte një virus sezonal.