Gjykata Penale e Namurit dha dënimet ndaj anëtarëve të një organizate kriminale nga Shqipëria, me vendndodhje në Schaerbeek. Gjykata Penale e Namurit shpalli këtë të enjte 10 vite burg për një të pandehur të konsideruar si drejtues i një organizate kriminale.

Ai është dashur të përgjigjet për 25 grabitje, 12 tentativa vjedhjesh, por edhe falsifikim pasaportash. Ndaj katër të pandehurve janë shqiptuar dënime me pesë vite burg dhe arrest i menjëhershëm. Një bashkëpunëtor i fundit merr dy vjet burg. Të pandehurve do t’u konfiskohet edhe një shumë prej 300.000 euro.

Ngjarjet janë kryer në vitin 2020 nga një organizatë kriminale nga Shqipëria dhe me vendndodhje në Schaerbeek. I pandehuri i vetëm i pranishëm në seancën e 23 shkurtit, ai që u paraqit si drejtues pretendoi se kishte marrë pjesë në ngjarje, si shofer, duke shpjeguar se një tjetër prej të pandehurve e ka detyruar të veprojë në këtë mënyrë për të përfituar letrat false të identitetit.

Ai mohoi të ishte drejtues i organizatës, e cila ka kryer, për një shumë që kalonte 300 mijë euro, vjedhje targash, parash, cigaresh dhe pijesh në shtëpi dhe servise. Ky person u dënua në Shqipëri në vitin 2003 me 23 vjet burg për vrasje dhe u lirua pas 15 vitesh.

Përfaqësuesi i prokurorisë federale kishte nënvizuar natyrën profesionale të vjedhjeve të kryera, por edhe faktin se këto kanë ndodhur vetëm kur i pandehuri kryesor ndodhej në Belgjikë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb