Nga Vasil Sofokli Tole
Festivali i Këngës në RTSH, ka qenë dhe mbetet investimi më i rëndësishëm që krijuesit, shoqëria dhe shteti shqiptar kanë bërë dhe ende bëjnë përmes RTSH-së dhe Orkestrës Simfonike të saj, për këngën dhe në përgjithësi për muzikën shqiptare. Përkundër kësaj, konstatohet se çdo ditë e më shumë, gjatë viteve të tranzicionit postkomunist, ky festival po largohet nga parimet artistike të themeluesve dhe pasuesve të tyre (kompozitorëve: Çesk Zadeja, Abdullah Grimci, Prenk Jakova, Vath Cangu, Agim Prodani, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, Avni Mula, Gjon Simoni, Simon Gjoni, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Shpëtim Kushta, Ferdinand Deda, Agim Krajka, Kastriot Gjini, Kujtim Laro, Aleksandër Peçi, Shaqir Kodra, Josif Minga, Gazmend Mullahi, Spartak Tili, Enver Shëngjergji, Hajg Zaharian, Flamur Shehu, Selim Ishmaku, Alfred Kaçinari, Ardit Gjebrea, Shpëtim Saraçi, Endri Sina, Ardian Hila, Elton Deda, Pirro Çako etj; poeteve Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Zhuljana Jorganxhi, Natasha Lako, Jorgo Papingji, Alqi Boshnjaku, Gjok Beci, Arben Duka etj.), për të pasur dhe krijuar këngë me identitet të qartë kulturor shqiptar në muzikë, në poezi e në interpretim. Kësisoj, ajo çka sot shihet është një fasadë “e bukur” dixhitale e cila mbulon nga sytë e botës ashtu si një perde, një trup të sëmurë e bashkë me të edhe plagët e thella, të mahisura e të pakuruara prej vitesh të këngës sonë, pavarësisht përpjekjeve të disa kompozitorëve të rinj profesionistë, për të ndryshuar diçka në këtë realitet të trishtë, në respekt të publikut dhe të amanetit të etërve themelues. Të gjitha këto nën vorbullën thithëse të një globalizimi dhe mish-mashi muzikor “stilesh” që s’të çon askund, për më tepër në skenat europiane e Eurovizion, jo e jo! Një pamje tragjike së cilës i shkojnë vargjet e Migjenit: Çdo ditë shoh qartë e më qartë, e vuej thellë e më thellë! Është detyrë e dorës së parë që këngët shqiptare t’i kthehen publikut si krijimtari e interpretim, atij publiku që investon dhe që është i interesuar për to shpirtërisht. Në këtë pikë përgëzoj përpjekjen e Drejtorit të Festivalit të 53-të, z. Martin Leka për të filluar një fazë të re të rikthimit të rëndësisë së këtij festivali, por kjo gjë duhet të vijojë më tej. Mënyra se si kjo duhet bërë kërkon standarde që duhet të nisin të formatohen, pas analizimit të gjendjes nga kritika muzikore dhe institucionet përgjegjëse si dhe në hapjen e një debati shërues gjithëpërfshirës rreth këngës sonë në bashkëkohësi. Më tej është detyrim i krijuesve profesionistë që, mbështetur kritereve të qarta artistike, Statutit të ri dhe rregullave të reja proceduriale të përzgjedhjes së këngëve dhe organizimit të Festivalit të Këngës në RTSH, “të shembin” me bukurinë dhe vlerat e artit të tyre, “ndërtimet” dhe “kioskat” pa leje të tranzicionit muzikor shqiptar, ndër to edhe interesat dhe klanet që i kanë zënë frymën këngës sonë, për të riformuluar kauzën e këngës me identitet kulturor shqiptar e europian njëherësh! Ah, një fjalë e fundit për juritë dhe vendimet e tyre. Për këtë mjafton të kujtoj thënien e Çesk Zadejës, babait të muzikës shqiptare, se: Vlerësimet e jurisë janë numri më i dobët i festivalit!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: