Nga: KIÇO BLUSHI*
Nga dita në ditë ka një shtim dramatik, shpesh me përfundim tragjik, të konfl ikteve në familje e në shoqëri. Fatkeqësisht, familja është viktima më e dhimbshme dhe më e pafajshme e dhunës, absurdit, padrejtësisë, zhvlerësimit dhe tjetërsimit të moralit në amoralitet. E megjithatë, ne jemi më të prirur të qëmtojmë konfliktet në majë të shoqërisë, kryesisht ato në sferën e politikës: nëse u zu e u prish Rama me Metën, ç’tha Saliu në “Facebook” e ç’deklaratë bëri Luli, ose: si u vesh e ku u zhvesh filan këngëtare, cila syresh u nda nga i dashuri, kush e quajti kolegen apo kolegun kurvë, se sa për thagmat e padëgjuara e të papërfytyruara që po ndodhin brenda familjes.
Duam, nuk duam; na pëlqen, nuk na pëlqen, familja shqiptare po jeton ditët e saj më të vështira. Krizën ekonomike nuk e ndjejmë aq sa e meriton për shkak të izolimit dhe mënyrës varfanjake me të cilën kemi jetuar në të kaluarën. Sot jemi mospërfillës për shkak të çmimit të ulët të domates dhe gjizës, kurse krizën e familjes e kuptojmë vetëm kur zezona na bie në kokë, kur krimi dhe fatkeqësia na e shembin çatinë. Çatia mund të rrëzohet “papritur e pa kujtuar” jo vetëm në familjet e skamnorëve, ku “ligjin” e bën shprehja e trashëguar nga arnautllëku: fukarallëk-maskarallëk, por edhe të kamnorëve të sotëm. Habitemi kur bëmat më të padëgjuara bëjnë vaki në familjet e ashtuquajtura të mëdha, të pasura, të njohura, të nderuara, të shquara… Shumëkush psherëtin me habi e dhimbje: si ka mundësi? E pra, nuk qenkan e nuk dhurokan imunitet, garanci e siguri as pasuria, as fama, as pushteti; përkundrazi, ato shërbejnë edhe si tritol i fatkeqësisë.
Si rregull, fëmijët janë viktimat e para, kurbanet e tranzicionit. Për t’u bindur për këtë mjafton të vëresh ditëlindjet e të vrarëve në varreza, të burgosurve nëpër burgje, lapidaret me lule artificiale buzë rrugëve, pa folur për viktimat e drogës, trafiqeve dhe injorancës nëpërkudo.
***
Kalojnë si të natyrshme lajmet e ububushme për vajzat Kajtazi, për adoleshenten Nensi Çoba, që me të dashurin e vet nuk i vuri zjarrin, po gjobë 400 mijë euro babait, duke sajuar “skenarin” e pengmarrjes. Nuk bëjnë më përshtypje perversitetet, incestet, pengmarrjet, gjakmarrjet, hakmarrjet, përdhunimet, trafikimi, pedofilia, droga, vrasjet për “motive të dobëta”, vrasjet mes gjitonësh për një fjalë goje, mes vëllezërish për një vijë uji a për një ngastër tokë, vrasjet e birit nga babai e anasjelltas, etj., etj., sepse familja si institucion po përjeton fazën më të rëndë të tjetërsimit e shfytyrimit, si asnjëherë tjetër.
Askush nuk mund të thotë zëplotë se ndjehet i sigurt dhe i garantuar për të nesërmen e familjes së vet. Kjo rropamë morale nuk është luftë brezash, është luftë mendësish e pamundësish; jo botëkuptimesh, por keqkuptimesh, të cilat nuk burojnë, më si dikur, nga trashëgimia dhe origjina, por nga shtysa e nga nepsi i papërballueshëm për konsumizëm të pafre. Familja jonë është marrë peng nga etja e shfrenuar për konsumizëm. Kërkohet konsumizmi me çdo kusht e me çdo çmim, deri aty sa në disa raste burri bëhet tutor i gruas, nëna e vajzës, prindi “i gëzohet” veprimtarisë kriminale të fëmijëve të vet…
Këto dukuri ne i marrim si të mirëqena, gati-gati si një risi e pashmangshme e hapjes, e zhvillimit demokratik. Askush nuk e kërkon shkakun. Arsyeja shoqërore e pse-së së këtij tjetërsimi humbjematik është e ngujuar. Urtësia nuk ka vlerë, quhet demagogji, shumë-shumë një “bjeri legenit”. Organizmat shoqërorë dhe shtetërorë, përfshi mediat dhe OJF-të e panumërta nuk bëjnë asnjë përpjekje për profilaksi e për higjienizim. Familja duket si ndërtim pa leje, që arkitekt ka vulgaritetin dhe nepsin për një jetë sa më epikuriane. Zor të gjesh një biznes mes vëllezërish që të ketë shkuar gjatë, në mirëbesim, pa grindje e pa sherre. Familja sot për sot nuk e ndjen nevojën për hipotekë e për kujtesë, për përgjegjësi dhe moralitet, për djersë, përkushtim, punë dhe talent. Të rinjtë e përçmojnë punën. Nuk ia shohin hajrin as shkollës. Shumica syresh ndjehen të hasmosur me familjen kur u kërkon llogari e nuk u krijon mundësi për të bërë sa më shumë qejf nëpër pabe, nëpër parti-shkumë. Të rinjtë që turren drejt Jalës dhe Drimadhës harxhojnë në një ditë, edhe pse nuk punojnë vetë, sa pensioni mujor i gjyshit të tyre. Se mos i vret ndërgjegja për këtë padrejtësi e pabarazi brenda familjes? As që bëhet fjalë! Prindërit boll e kanë të hanë një fërgesë!
Ndërsa shteti dhe shoqëria sa vjen e bëhen më pak solidare, më pak humane, sepse krerët, ata që janë lart, demokracinë dhe liberalizmin i kuptojnë si heqje dorë nga “legalizimi” i atyre familjeve që kanë rënë në hall e në mjerim. Ndihmat ekonomike për të papunët janë jo vetëm të pakta, por ato rëndom kanë shkuar “në drejtim të paditur”, te “familjet e mëdha”. Krerët tanë janë të tejngopur me vetveten, mjaft që familjet e veta t’i kenë të sigurta, të lumtura. Krahasimi me mjeranët nuk i bën të përvuajtur, por ua shton mburrjen dhe krenarinë: “ku ishim dje e ku jemi sot”?!
Nuk ka e nuk gjen në rruzull krerë më të vetëkarfosur se këta tanët! Zonja Nishani, – e jo vetëm ajo, por edhe burrat e politikës, – na tregoi para ca vitesh garderobën e pasur me fustane firmato. Gratë deputete bëjnë gara mes vedi për çmimin e çantave, kurse meshkujt me markat e kravatave e të makinave. Në shtetin më të varfër të Evropës udhëheqësit janë të veshur më shik se ata të Francës. Ndaj të papunët e pashpresë, ata që duan të shpëtojnë fëmijët dhe familjen nga zjarri i pasigurisë dhe i mjerimit, të pafuqishëm të ndryshojnë gjendjen, nguten të ikin në egzil, sepse kryefamiljari i sotëm fakirfukara ka rënë e ka mbetur në dorë të taftibaftit: “Secili për vete, Zoti për të gjithë”.
***
Thuhet se nëpër burgje nuk ka vende, edhe pse nuk ka qytet të madh pa një burg të ri. Qeveria kujton se nëpërmjet burgosjeve, ndëshkimeve dhe gjobave do të ndërtohet shteti. Por, ata që janë nëpër burgje janë familjarë, janë qytetarë, janë shqiptarë, nuk janë UFO. Ata janë ne e ne jemi ata. Ndryshe, kjo e ka emrin shoqëri. Vetëm se një shoqëri e tillë, që ka një përqindje kaq të madhe të burgosurish ka shëndet të keq, ka komunitet me plagë, familjen e ka të sëmurë, sepse konfliktin e ka mënyrë dhe mjet mbijetese.
Tek ne askush nuk do t’ia dijë: sa familje shqiptare kanë nga një anëtar në burg? Si mbijetojnë dhe si e përjetojnë ata që janë të lirë burgosjen e familjarit dhe marrëdhënien psikologjike me të dënuarin e me burgun? Ç’ndikim ka klima e burgosjeve në klimën e përgjithshme të shoqërisë? Sa i kushton një familjeje kujdesi për një të burgosur, po edhe shoqërisë? Buxheti i shtetit paguan për një të burgosur mbi 400 ero në muaj, sa rroga e një nëpunësi të lartë në ministri. Asnjë pensionist, edhe nëse ka qenë gjeneral apo akademik, nuk përfiton një pension të tillë. Pa llogaritur koston e shtrenjtë të shoqërisë, ky shpërpjesëtim, i cili nuk është vetëm financiar, ka shfytyruar edhe raportet morale e materiale të ndërvarësisë e të bashkëjetesës në shoqëri. Derisa “shpërblehet” më shumë një i burgosur se një qytetar i lirë që derdh djersë të ndershme, atëherë shoqëria gjendet vërtet në një hall të madh, në kolaps.
Por le të bëjmë një tjetër llogari. Nëse një qytetar dënohet për mospagesë të energjisë elektrike një vit, shteti do të harxhojë për të gati 5 mijë euro, pa futur këtu shpenzimet e gjyqit e të avokatëve. Pra, gati 7 ose 8 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që fatura e tij e papaguar ishte dy apo tre milionë lekë. Me këtë llogari të thjeshtë përsëri del shoqëria e humbur, e mbi të gjitha familja. E jo vetëm familja e të dënuarit, por familja në përgjithësi, si institucion, pasi kështu jo vetëm që bie standardi i jetesës, por edhe standardi moral, sepse me këtë ritëm burgosjesh, si po venë punët, nesër rrezik të jenë më të shumtë ata që kanë bërë burg, se ata që nuk kanë kryer asnjë faj.
***
Ashtu si në shoqëri, edhe në familje sot për sot nuk ka hierarki vlerash, moshe, kontributesh, mirënjohjeje e mirësjelljeje. Edhe e Zotin e kërkojmë kur familja e humb shpresën dhe nuk ka nga ia mban. As shteti, as politikëbërja, por as institucionet fetare nuk shqetësohen për shëndetin mendor të familjes. Nuk është vetëm droga, alkooli, seksomania dhe snobizmi që po na gërryejnë. Është pabarazia. Është varfëria e tejzgjatur e njërit vëlla përballë pasurimit “të pajustifikueshëm” të tjetrit. Është mendësia e krijuar tashmë se mund të jetohet më mirë pa derdhur djersë, duke vjedhur e duke gënjyer, duke rrëmbyer punën dhe djersën, mallin e mundin e tjetrit, mjaft që të bëhesh i pasur, mjaft që edhe për një natë të bësh qejf… Është lehtësia për t’u bërë i kamur e i shquar, – tani edhe deputet! – pa qenë domosdo i aftë, i kulturuar, i arsimuar, i ndershëm, punëdashës… Kjo dukuri kaq e rëndomtë ka ngjallur edhe brenda familjes, pra jo vetëm në shoqëri, smirën, zilinë, kotaninë, krimin dhe urrejtjen e ndërsjellë. Kaq e ka djerrëzuar shoqërinë dhe familjen e ashtuquajtura belfiekulturë, sa familja jo vetëm që gjendet në qorrsokak, pa rrugëdalje, pa shpresë e pa mirëbesim, por edhe pa modele pozitive, të gjithërespektuara. Kush vlen më shumë sot: një belfie (shqip: b…) e bukur, apo një kokë e mençur?
Familja është vënë nën trysninë e pabarazisë dhe të tundimit të konsumizmit, deri aty sa një pjesë e familjes, kryesisht prindërit pranojnë të derdhin djersë e gjak, mund e sakrifica, ndërsa pjesa tjetër i takon botës së qejfit. Një sociolog propozoi para ca ditësh të shpallet si model i shoqërisë Ali Pazari, duke kërkuar madje që një rruge të Tiranës t’i vihet emri i tij, emër që vlen, sipas profesorit në fjalë, ku e ku më shumë se të gjithë politikanët e moralistët e sotëm, përfshi edhe njerëzit e shkencës dhe art-kulturës! Nëse është kështu, a ka kuptim dhe vlerë pyetja: ku po shkojmë?
***
Edhe në shoqëritë perëndimore thuhet se familja është në krizë ngaqë vuan pasojat e globalizmit, si pasojë e së cilës ka lindshmëri të ulët; martesat po bëhen gjithnjë e më të pakta për shkak të trysnisë së bashkëjetesës, si mënyrë “më demokratike” e lidhjes në çift, etj., aq sa ka studiues që parashikojnë se familja po shkon drejt shuarjes. Ndërsa tek ne familja është edhe patriarkale, edhe liberale, dmth edhe me “kultin e babait”, edhe me shembjen e idhujve. Familjes sonë i ka hyrë në tru e në shpirt “pulla e kuqe”, krimbi i konfliktualitetit, i sherrit, i mosmarrëveshjeve, i vanitetit dhe i snobizmit, të cilat, edhe për hiçmosgjë përfundojnë shpesh në krime e në çrregullime të thikta morale brenda familjes. Atij gjynahqarit me mbiemrin Trimi në Lushnjë, i cili e bindi me gjykatë gruan të kthehej në familje, me kusht që ajo të mos e përdorte “Facebook”-un, fejsbukistët e mohuar të gruas ia dogjën shtëpinë teksa flinte me fëmijët…
Shpëtoni familjen! Kjo do të duhej të ishte kryefjala e politikës dhe e qeverive. Dhe e komuniteteve fetare, natyrisht. Por edhe këto më shumë merren me çështjen e prishjes së një garazhi-kishë në Dhërmi, apo nëse do të japë apo jo para qeveria për ndërtimin e xhamisë së madhe në qendër të Tiranës, se sa me shëndetin e shoqërisë së sotme. Natyrisht, këto probleme nuk zgjidhen vetëm me propagandë e me shërbesa fetare. Lipsen platforma dhe politika sociale, efektive, të ndershme e të mençura që padrejtësinë dhe pabarazinë, varfërinë dhe papunësinë, injorancën dhe luftën për mbijetesë t’i shkulin jo vetëm nga shoqëria, por më së pari nga familja.
Por për këtë “rilindje” mbi gjithçka na duhet: drejtësi, drejtësi dhe drejtësi!

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: