Interesi kryesor për zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA është natyrisht, ai i qytetarëve amerikanë. Megjithatë, duke qenë ende larg një bote shumëpolare, në të cilën SHBA-të janë aktori kryesor politik i saj, këto zgjedhje kanë edhe rëndësi të madhe ndërkombëtare. Mbi të gjitha, një fitore e ish-Presidentit Trump do të kishte ndikim të jashtëzakonshëm pozitiv për paqen dhe sigurinë botërore. Ne jetojmë sot në rrethana ndërkombëtare të ngjeshura me probleme dhe sfida të shumta botërore, të larmishme, të njohura, por edhe të paparashikueshme, të cilat kanë një emërues të përbashkët: ata cenojnë paqen dhe sigurinë e jetës normale të të gjitha shoqërive njerëzore të botës. Këto sfida po e shndërrojnë me shumë shpejtësi paqen dhe sigurinë gjithnjë dhe më shumë në një vlerë themelore përparësore të marrëdhënieve të sotme ndërkombëtare. Le të analizojmë shkurt, rëndësinë e qëndrimeve të ish-Presidentit Trump vetëm ndaj tri kërcënimeve të mëdha të kohës sonë, luftërave, terrorizmit ndërkombëtar dhe përhapjes së armëve bërthamore.

Së pari, ai është shprehur qartë gjatë kësaj fushate zgjedhore se do t’u japë fund luftërave të sotme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Është e padiskutueshme se ajo luftë nisi si një agresion i Rusisë kundër sovranitetit të Ukrainës dhe është krejtësisht në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Megjithatë, a mundet Ukraina të fitojë kundër Rusisë? Edhe sa shkatërrime dhe viktima njerëzore do të kërkojë kjo luftë? Edhe sa kohë do të vazhdojë ajo? A do të vazhdojë pafundësisht ndihma financiare e demokracive Euroatlantike? Për luftën në Ukrainë ish-Presidenti Trump është shprehur gjatë fushatës zgjedhore, se është “më mirë një marrëveshje e keqe Ukrainë-Rusi, se vazhdimi i luftës”. Sipas meje, ky qëndrim mbështetet në idenë se është më mirë të pranohen edhe disa ndryshime të kufijve të Ukrainës, sesa të vazhdohet pafundësisht një luftë, e cila po shkatërron Ukrainën, po vret popullsinë e saj dhe ndërkohë që zgjat, rrezikon të ketë përshkallëzime të paparashikueshëm për të gjithë Europën. Ky qëndrim duket pragmatist, por edhe shumë realist, sepse asnjë popull i botës nuk e do luftën, porse përfshihet në të për shkak të rrethanave politike që nuk varen nga ata.

Së dyti, kundërshtar i vendosur kundër terrorizmit politik ndërkombëtar, siç e dëshmuan katër vjetët e qeverisjes së parë të tij, ish-Presidenti Trump e ka mbështetur luftën e sotme të Izraelit kundër organizatave terroriste Hamas, Hezbollah dhe mbështetësve të tij si Irani, por e ka mbështetur për aq sa është vetëm kundër terrorizmit, duke theksuar, ndërkohë nevojën për përfundimin sa më të shpejtë të kësaj lufte, e cila po rëndon me të tepërt me viktima dhe shkatërrime mbi popullsinë palestineze. (E gjithë Presidenca Trump e viteve 2016-2020 ka dëshmuar qartë se ajo ishte kundërshtare e vendosur edhe ndaj çdo lloj kriminaliteti dhe terrorizmi brenda Shteteve të Bashkuar. Një prej premtimeve të tij të kësaj fushate zgjedhore presidenciale, është se do t’u japë fund disa dukurive që lidhen me terrorizmin e brendshëm në SHBA si, lejimi i emigracionit milionësh të paligjshëm, dënimet e butë për kriminelët dhe terroristët vrasës, mbështetja shtetërore e pamjaftueshme financiare e policisë amerikane etj.).

Së treti, ish-Presidenti Trump është kundërshtar i vendosur i programit bërthamor të Iranit, i mbështetur fort në idenë mbi armët bërthamore si një e keqe ekzistuese e pashmangshme e kohës së sotme, por si një e keqe, e cila duhet të ndalohet me forcë për të mos u përhapur. Një Presidencë Trump do ta largonte përfundimisht kërcënimin ndërkombëtar të një Irani të mundshëm bërthamor. Qëndrime të tilla ndaj paqes dhe sigurisë së botës janë të mirëpritur edhe jashtë SHBA-ve, thjesht sepse prirjet njerëzore për paqe dhe siguri janë prirje të natyrshme për të gjithë njerëzimin. Në kornizën e kësaj politike ndërkombëtare Trump, unë jam ndër ata që mendojnë dhe besojnë fort se vëmendja e një Presidence Trump jo vetëm nuk do t’i mungojë edhe Ballkanit Perëndimor dhe problemeve të tij seriozë ende të pazgjidhur, siç është ai i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por ajo do të bëhet ideatore e zgjidhjes së tyre praktike përfundimtare të shoqëruar me njohjen e ndërsjellë të të shteteve.

Për ne shqiptarët, si populli më proamerikan në Ballkan, një Presidencë Trump do të ishte shpresë për zhvillime pozitivë edhe në Shqipëri ku fatkeqësisht, administrata “Biden” nuk arriti t’i kuptojë, i shpërfilli, ose i lejoi për arsye ende të panjohura proceset e fshehta, të cilat çuan në degradimin e demokracisë nëpërmjet manipulimit të zgjedhjeve, përdorimit politik të sistemit të drejtësisë, nënshtrimit të mediave dhe sulmeve të egra kundër opozitës së vendit (për të përmendur vetëm pak prej problemeve të Shqipërisë).

Në fund të fundit, gjithsesi, problemet e demokracisë në Shqipëri nuk do të presim t’i zgjidhë një Presidencë Trump. Ata do t’i zgjidhin vetë qytetarët shqiptarë, por një Presidencë Trump shpresojmë se do të ishte një derë e hapur për opozitën shqiptare dhe kundërshtare e përhershme e politikave të majta autoritariste kundërdemokratike. Krahas politikave ndërkombëtare, parashtrimi gjatë fushatës zgjedhore presidenciale Trump-Vance i qëndrimeve dhe premtimeve konkrete rreth politikës kombëtare, ose rreth problemeve të brendshme të lidhura me interesat e qytetarëve amerikanë si, ekonomia, mirëqenia, taksat, të ardhurat vetjake të qytetarëve, siguria e jetës, familja, dhënia fund e politikave të majta rrënjësore dëmtuese brenda dhe jashtë SHBA-ve, goditja e dukurive korruptive etj., duket se i ka vetëdijësuar të gjithë qytetarët amerikanë për zgjedhjen që janë duke bërë me votimin e hershëm dhe me atë së martës së 5 nëntorit. Tani, kur kanë mbetur edhe fare pak ditë deri atëherë, duket qartë se në datën 5 nëntor, në Shtëpinë e Bardhë, do të rikthehet Presidenti Donald Trump. Unë besoj se ky rikthim do t’u largojë edhe frikën dhe dyshimet e disa aktorëve politikë të rëndësishëm të Europës, të cilat në fakt janë nxitur nga shumë të pavërteta të hedhura për opinionin publik nga retorika politike e së majtës amerikane. Gjithsesi, le të presim edhe fare pak dhe të shohim përfundimin e këtyre zgjedhjeve…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb