‘BalkanWeb’ zbulon porositë që kryeopozitari Lulzim Basha i ka dhënë sot krerëve të degëve të PD-së nëpër rrethe gjatë takimit me Kolegjin e Kryetarëve.
Gazetari Osman Stafa raporton për ‘BalkanWeb’ se lideri i PD-së u ka kërkuar kryetarëve demokratë në rrethe që të mbajnë gati strukturat për zgjedhje të parakohshme, një nga kërkesat që ka parashtruar prej kohësh opozita.
Ndërkohë, kryetaret e degëve të PD i kanë kërkuar Bashës që të rinisin protestat në muajin shkurt, kërkesë për të cilin deri më tani nuk ka pasur asnjë vendimmarrje nga ana e selisë blu. Kryetarët e PD-së kërkuar që në 20 ose 22 shkurt të mbahej një protestë simbolike, duke kujtuar kështu dhe vendimin e opozitës ku deputetët e saj dogjën mandatet.
Kujtojmë se ky takim vjen një ditë pas marrëveshjes me maxhorancës për ulje në një tryezë për reformën zgjedhore, kjo e fundit si një nga kushtet e vendosura nga Bundestagu për çeljen e negociatave. Ashtu siç ishte parashikuar që dje, sot në orën 19:00 PD pritet të mbledhë kryesinë dhe ish-grupin parlamentar, ku në fokus të diskutimeve është reforma zgjedhore.
(BalkanWeb)