Ish-ambasadori Agim Nesho në një intervistë për News24 me gazetaren Dajlana Sejdia, duke folur për mbledhjen e përbashkët të dy parlamenteve, të Shqipërisë dhe Kosovës, tha se është një akt madhor që dy Parlamentet të bashkohen, por ajo që u pa ishin fjalimet e dy Kryeministrave, Albin Kurti dhe Edi Rama.
“Nuk ndodhi akti madhor i bashkimit të dy Parlamenteve, e gjithë analiza e opnionit publik u reflektua vetëm në deklaratat që mbajtën dy Kryeministrat, që shtruan disa çështje të cilat ishin periferike dhe në funksion të agjendës politike të tyre. Në këtë kuptim mendoj se ishte një shfaqje se sa një akt madhor për të shtyrë agjendën kombëtare shqiptare”, tha Nesho.
Ai u shpreh se ka një diferencë shumë të madhe, kemi një indiferencë, deri në një veprimtari të papranueshme nga Tirana zyrtare, e cila i ka mbyllur dyert përkrahjes së agjendës kombëtare. Sipas Neshos, kjo ka ndodhur sepse vetë Edi Rama ka gjetur një strehë komode duke u angazhuar në aspekte të tjera, që në thelb nuk përkojnë me atë agjendë që Kosova ka prioritet, ruajtja e sovranitetit, territorit të saj dhe njohjes ndërkombëtare.
Nesho tha se ishte një shfaqje e panevojshme. “Ka një diferencë që lidhet me mënyrën se si janë projektuar pozicionet. Këtu kemi një regjim autokratik, ndërsa në Kosovë kemi një regjim demokratik, që përparon por ka nevojë për çështjen kombëtare. Kjo e bën që retorika e Kryeministrave të prevalojë”, tha Nesho.