TIRANE

I zvarritur disa herë  procesi i zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike do të fillojë këtë fundjavë për t’u përmbyllur me Kuvendin Kombëtar më 15 dhjetor.  Mandatet e disa institucioneve në parti dhe disa posteve drejtuese, janë në fundin e tyre, ndaj dhe në mbledhjen e së martës të grupit parlamentar Lulzim Basha kërkoi që krerët e partisë demokratike në rrethe të zgjidhen  brenda dy javësh në mënyrë që t’i hapet rrugë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar dhe ngritjes së shtabeve elektorale për zgjedhjet lokale.

Por urdhri i Bashës nuk ka kaluar pa diskutime brenda partisë. Në një mbledhje të kryesisë të zhvilluar në fundjavë kur është hapur kjo çështje Arben Ristani, Aldo Bumçi, Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi  janë shprehur kundër zhvillimit të zgjedhjeve të brendshme përpara zgjedhjeve lokale pasi mund të sjellë pakënaqësi në anëtarësi, pakënaqësi të cilat mund të dëmtojnë partinë elektoralisht. Megjithë kundërshtimet, Basha është i vendosur për të zhvilluar zgjedhjet brenda partisë pasi më 15 dhjetor ka vendosur që të mbledhë Kuvendin Kombëtar.

Me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar i hapet rruga dhe zgjedhjes së Këshillit Kombëtar. Më pas, Këshilli Kombëtar do të zgjedhë kryesinë e re të partisë, sekretarin e përgjithshëm organizativ dhe dy nënkryetarët e rinj. Në grup Basha ka lajmëruar se Komisioni i Venecias do të japë mendim për propozimin për vettingun në politikë brenda këtyre dy javëve. Ai gjithashtu ka kërkuar nga deputetët e grupit parlamentar që të mbështesin në çdo moment protestën e banorëve të unazës së re, që rrezikojnë t”i prishen shtëpitë pas zgjerimit të këtij aksi.

Temë e diskutimit ishte dhe projekt buxheti i vitit 2019. Qëndrimin kundër tij PD e ka shprehur gjatë këtyre ditëve, por ndërkohë që mazhoranca do ta miratojë në parlament të enjten, PD ka zgjedhur të zhvillojë një aktivitet me grupet e interesit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb