TIRANE– Sekretari i Burimeve Njerëzore në PD, Fatbardh Kadilli i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 zbuloi  garancitë statutore që rrëzojnë kryetarin. Zgjedhja e kryetarit bëhet çdo 4 vite me parimin një anëtar një votë dhe nëse një grupim është i pakënaqur me punën e kryetarit, mund t’i bëjë në çdo kohë mocion mosbesimi. Konkretisht, një e pesta e anëtarëve e mbledh Këshillin Kombëtar dhe nëse votohet me 50 % plus 1, edhe në Kuvendin Kombëtar, atëherë kryetari mund të shkarkohet dhe hapet proces i ri për një anëtar një votë. Kadilli tha se statuti ka të gjitha garancitë që çdokush që nuk pajtohet me të, të marrë iniciativën për ta shkarkuar.

“Dorëheqja është element etik dhe nuk mund të jetë element statutor. Nuk e ka asnjë prej partive popullore europiane që ne marrim për referencë. Nuk e ka askush. Kryetarin e zgjedhim me parimin një anëtar një votë. Pra është një referendum. Por sot në statut janë garancitë se si një grup që pretendon se kryetari i partisë nuk performon apo gabon politikisht i propozon Këshillit Kombëtar mocion mosbesimi. Nëse votohet nga gjysma e Këshillit, ky mocion i shkon Kuvendit Kombëtar. Pra kryetari mund të shkarkohet dhe ja pra që është një instrument, por duhet të bësh votat në Kuvend dhe kryetari nuk ikën se ashtu mendoj unë apo dikush tjetër. Kjo bëhet nëse mendon kështu shumica e Këshillit dhe Kuvendit Kombëtar. Pra instrumentat janë dhe mund të mbledhin Këshillin Kombëtar por të mos gënjejnë kur të dalin nga Këshilli pasi rrijnë 5 minuta, marrin njëherë fjalën dhe pastaj thonë që nuk na lanë të flisnim. Kjo është gënjeshtër”- tha Kadilli.

Procesin e hartimit të statutit të ri. Sipas tij, grupi i punës është takuar me të gjithë kritikët që kanë pasur rezerva dhe madje ka marrë shumë prej propozimeve të tyre për statutin e ri.

“Platforma për ringritjen e PD e propozuar nga një grup ish drejtuesish në PD dhe dokumenti statuti alternativ nga Harxhi dhe Kulluri, u përdorën dhe u shqyrtuan nga grupi i punës dhe madje kemi bërë takime me to. Po ashtu z Malko ka qenë pjesë e diskutimeve dhe debateve por ne nuk u mjaftuam vetëm me atë ndaj kemi marrë kontakte me Patozi, Bode, Mustafaj. Thelbi i debatit ka qenë një statut që do jepte më shumë hapësira dhe më efektive. Nga grupi tjetër, me Harxhin dhe Kullurin nuk pranuan të bisedojmë duke thënë që kemi sjellë propozimin” tha Kadilli.

Ai nënvizoi risitë e statutit t ri që disa prej të cilit vijnë nga vetë propozimet e kritikëve, konkretisht nga statute alternative i Harxhi siç është Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve.

“Propozimi më i zëshëm i bërë nëpërmjet statutit alternative të Harxhi dhe Kulluri, si model i marrë nga konservatorët britanikë, që të ngrihet një komision i vlerësimit të kandidatëve. Këtë propozim e kemi marrë nga znj Harxhi dhe z Kulluri. Kjo e bën më transparent dhe më të hapur procesin. Çdo kush që ka ambicien për të hyrë në politikë të ketë kanalin e vetë dhe kjo zgjeron në vendimmarrjen edhe Këshillin Kombëtar për kandidaturat. Me rregullore të brendshme do të detajohet se si do të bëhet konsultimi me bazën e partisë me anëtarësinë. Kjo është një garanci statutore. Po ashtu pati një zhurmë për Këshillin Kombëtar, dhe ai ka instrumentet për ta mbledhur siç është Kryetari, Kryesia ose një e pesta e Këshillit. Nëse nuk të mbështet një e pesta e Këshillit, do të thotë që je minorancë përtej limitit të asaj që mund të diktosh Këshillin Kombëtar. Tani u vendos që të mblidhet njëherë në vit. Edhe këtë merak e rregulluam me këtë statut. Por këshillit Kombëtar i është dhënë edhe diçka plus që zotërinjtë nuk e kanë kërkuar siç është e drejta që me 15 % të anëtarëve të Këshillit mund të propozojnë apo të shpallet kandidaturë alternative nga ato që propozon kryetari i Partisë. Nuk ka qënë kjo dhe ne e kemi vënë këtë garanci statutore që nëse kryetari mund të mos ketë qejf, atëherë ti merr mbështetjen e Këshillit dhe të propozon ty. I është dhënë një pushtet që nuk e kishte Këshilli. Shumë kompentenca të kryesisë i ka marrë Këshilli. Po ashtu janë vendosur kriteret e qarta të karrierës”, tha Kadilli.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: