Studiues Shqiprim Pula për “Opinion” në News24 ka komentuar mbledhjen e përbashkët të dy parlamenteve, atij të Shqipërisë dhe Kosovës, që u mbajt në Prishtinë.
Pula tha se kjo ishte një seancë solemne mes dy vendeve, ku nuk pati një debat përmbajtësor, ndërsa u shfrytëzua foltorja e Kuvendit për të mbajtur fjalimet nga të pranishmit. Në këtë kuadër ai e konsideroi këtë mbledhje më shumë si një propagandë.
Në këtë kuadër, Pula tha se Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij bëri disa goditje, në përmbajtje bëri disa kërkesa dhe adresoi disa çështjes që nuk përbënin as risi dhe as befasi.
Ai tha se Edi Rama nuk tregoi nëse ka ndarë ose jo ndonjë buxhet për Kosovën Lindore, ndërkohë që Kryeministri Albin Kurti e tha fondin që kishte përcaktuar në buxhetin e shtetit të Kosovës për 2025. Gjithashtu, Pula theksoi se në fjalimin e Kryeministrit Edi Rama nuk u përmend fare fakti i shumë përpjekjeve që Vuçiç bën kundër Kosovës.
“Kryeministri Rama foli gjerë e gjatë për shumë çështje, foli për Gjykatën Speciale dhe bëri kritika në adresë të aktorëve politikë në Kosovë për të kundërshtuar vijimësinë e punës së kësaj gjykate”, tha Pula.
Ai u shpreh se Rama ka ndjesinë e fajit përsa disa gabime që ka bërë. “Ne kemi parë në mënyrë të hapur se cili prej aktorëve politikë në Kosovë ishin të preferuarit e Edi Ramës. E di i gjithë opinioni që Hashim Thaçi ishte i preferuari i tij, dhe në mungesë të Thaçit, ai nuk ka bërë një zgjedhje tjetër. Ndërkohë që nuk kishte pse të kishte të preferuar mes aktorëve, pasi interesat vitale kombëtare duhet të ruhen dhe mbrohen, përtej interesave partiake apo klanore”, tha Pula.
Ai tha se Kuvendet respektive duhet të mblidheshin çdo 3 muaj dhe të përcaktoheshin temat që do të diskutoheshin në interes të qytetarëve si në Kosovë dhe në Shqipëri. “Nuk ka pse zhvillohen takime për ceremoni, duhen takime që i shërbejnë shqiptarëve”, tha Pula.