FIER- Nga Fieri kryeministri Edi Rama ka bërë të njohura vendimet e qeverisë, e cila e ka zhvilluar mbledhjen në këtë qytet. Rama tha se është zgjeruar lista e barnave të rimbursueshme, duke e vënë theksin tek ilaçi për trajtimin e kancerit të gjirit, herceptina, për të cilën tha se tani më do të jetë falas në të gjitha spitalet publike.

“Dy vendime të rëndësishme me impakt kombëtar janë marrë sot. Së pari për listën e re të barnave të rimbursueshme e cila është zgjeruar për të mbuluar më shumë nevoja të qytetarëve. Përveç 36 barnave të reja që do të rimbursohen nga shteti për të gjithë njerëzit në nevojë për medikamente, do të përfshihet edhe herceptina, një trajtim për kancerin e gjirit, një trajtim shumë i shtrenjtë dhe shumë problematik. Tani më do të përfitohet tërësisht falas në të gjitha spitalet publike të Republikës. Bëhet realitet një zotim me peshë jo të vogël financiar dhe nuk do ketë më asnjë mungesë të trajtimit me herceptinë të për ë gjitha gratë dhe vajzat që do të kalojnë kalvarin e përballjes me tumorin e gjirit”, deklaroi kryeministri.

Vendimi tjetër i qeverisë, ishte ai për biznesin, konkretisht prodhuesit bujqësorë.
“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm për biznesin. Një vendim që incentivon prodhuesit bujqësorë që zhvillojnë veprimtari ekonomike në kuadër të një sipërmarrjeje. Për të gjithë prodhuesit bujqësorë ka qenë një problem, kapërcimi i masës 5 mln të reja të xhiros për shkak të përfshirjes në TVSH. Ajo që bëjmë me këtë vendim është se ju themi të gjithë prodhuesve bashkohuni për të mos paguar TVSH mbi xhiron. Një bashkim fermerësh mund të ketë një xhiro shumë më të lartë se 5 mln, nuk do të jetë subjekt i TVSH-së. Ka një interes shumë të madh që të realizohet bashkimi. Është një nxitje e mëtejshme për të krijuar premisa për bashkime që janë të domosdoshme për të pasur shumë më tepër impakt në të gjitha aspektet kur vjen puna tek vlera e prodhimit bujqësor dhe fondet e BE-së. Bashkohuni sepse është në interesin e çdo fermeri dhe ekonomisë kombëtare”, tha kryeministri.

Rama tha se për të nxitur sipërmarrjen e re është krijuar dhe fondi i mbështetjes.
“Së fundi dua të theksoj se po në këtë vendim, për të nxitur sipërmarrjen ne kemi krijuar dhe fondin e mbështetjes së sipërmarrjeve të reja për këtë kategori biznesi që ka si qëllim përmirësimin e kushteve dhe klimës për sipërmarrjet e reja”, u shpreh kryeministri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb