Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka komentuar mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme nga kryeministri Rama dhe deputetët socialistë.

Bardhi u shpreh se lufta ndaj korrupsionit në vend bëhet me vepra dhe jo me fjalë, ndërsa shtoi se në 11 vite opozita ka qenë në betejë me qeverinë më të korruptuar në Ballkan.

Sipas tij Komisioni i Posaçëm “Të sfidojmë zbatimin e ligjit Antimafia” nuk është as rruga dhe as mjeti për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar mirëqeverisje.

Reagimi i plotë:

Pas 11 viteve keqqeverisje Edi Rama u thotë shqiptarëve që duhet ta besojnë se ka ndryshuar mendje dhe do punojë për mirëqeverisje.
Pas 11 vitesh që e ka shndërruar korrupsionin nga fenomen në sistem të mirëstrukturuar, Edi Rama bërtet me të madhe se duhet ta besojnë që të korruptuarit veprojnë pas shpinës së tij, edhe pse ai bëhet mburojë politike për ta derisa bien në rrjetën e drejtësisë.
Pas 11 vitesh që ka shkallmuar shtetin ligjor duke e shndërruar në shtet personal kryeministror, Edi Rama u thonë shqiptarëve se duhet ta besojnë që ka vullnet për të ndërtuar një shtet demokratik dhe europian.

E vërteta është që opozita në këto 11 vite ka qenë në betejë me qeverinë më të korruptuar në Ballkan. Për ne mirëqeverisja dhe lufta reale ndaj korrupsionit nuk është as propagandë dhe as diskutim veror. Lufta ndaj korrupsionit ka nevojë për vepra dhe jo për fjalë.

Kur ne luftonim korrupsionin në shëndetësi, Edi Rama na qunante shpifës dhe merrte në mbrojtje Ilir Beqajn.
Kur ne luftonim korrupsionin tek inceneratorët, Edi Rama i quante heronj Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, duke u dërgur si mburojë të malit të korrupsionit edhe deputetët e grupit të tij parlamentar.
Kur ne luftonim korrupsionin në Policinë e Shtetit që po sillte kanibizimin masiv të Shqipërisë, Edi Rama shpalli ministër kampion Saimir Tahirin.
Kur ne kërkojmë hetim parlamentar për korrupsionin qeveritar, Edi Rama shkel Kushtetutën për të penguar rolin kontrollues të Kuvendit.

Komisioni i Posaçëm “Të sfidojmë zbatimin e ligjit Antimafia” nuk është as rruga dhe as mjeti për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar mirëqeverisje. E vetmja rrugë për mirëqeverisje dhe luftë reale ndaj korrupsionit është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që sigurojnë një qeverisje që jep llogari tek qytetarët dhe mbahet përgjegjëse për aktet që bën çdo 4 vjet.

Kjo mund dhe do të bëhet realitet vetëm përmes largimit të qeverisë më të korruptuar në Europë dhe Kryeministrit më të papërgjegjshëm në Europë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb