TIRANË- “PD do depozitojë padi penale për mbledhjen e të dhënave personale nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë”. Kështu ka deklaruar Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit, Albana Vokshi e ftuar në rubrikën “Opinion” në News24.

Vokshi tha se mbledhja e të dhënave personale të pacientëve dhe prindërve të nxënësve, përfshirë NID bëhet për arsye zgjedhore. Sipas saj, kryeministri ka vendosur të ngrejë një bazë të dhënash në Kryeministri për t’i përdorur më pas, raporton “BalkanWeb”.

“Kemi marrë shumë denoncime nga prindër të cilëve u është kërkuar që të depozitojnë të gjitha të dhënat personale, të cilat ato ruhen me ligj sepse janë konfindenciale. Të dhënat e kërkuara që nga numri i kartës, e çdo gjë tjetër, si emër, mbiemër, numër telefoni etj, janë të dhëna që ruhen me ligj dhe nuk mund të merren e të përdoren. Po shkelet neni 35 i Kushtetutës dhe ligji për mbrotjen e të dhënave personale. Falë presionit tonë kanë hequr dorë nga numri i kartës së identitetit. Por PD do të depozitojë nga nesër padi penale për këtë që po ndodh me këto të dhënave. Kush e shpjegon se pse këto të dhëna duhet të shkojnë në kabinetin e kryeministrit? Kjo ka vetëm qëllimin për arsye zgjedhore. Pra Kryeministri ka vendosur të ngrejë një bazë për zgjedhësit që t’i përdorë ato për qëllime elektorale”, deklaroi Vokshi.

Ajo tha se padia do të nisë me kryeministrin dhe më pas me të gjithë ata që i kërkojnë këto të dhëna personale.
“Padia jonë do nisë nga Edi Rama, do përfshihen dhe dy ministrat përkatës dhe gjithë drejtuesit që kërkojnë”, deklaroi deputetja e PD.

Vetëm pak ditë më parë çështja e marrjes së të dhënave personale nga Ministria e Arsimit për prindërit e nxënësve dhe nga Ministria e Shëndetësisë për pacientët u ngrit si shqetësim nga opozita. MAS reagoi duke tërhequr kërkesën për marrjen e Numrit të Identifikimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb