TIRANË

Akademiku Artan Fuga ka folur në emisionin “Kjo Javë” në News24 për situatën në Akademinë e Shkencave dhe mbledhjen e djeshme ku nuk u lejuan mediat.


Për Fugën, ai që do që të fshihet është ai që ka shqetësime. Fuga tha se kishte dhe të tjerë akademikë që ishin kundër kërkesës për presidentin që të rishikojë vendimin për Skënder Gjinushin. Ai e cilësoi mbledhjen të paligjshme.


“Gjëja e parë u përjashtuan mediat nga mbledhja e djeshme e Akademisë së Shkencave. Ai që do që gjëja të fshihet, të mbulohet, mos të dalë në opinionin publik, është ai që ka shqetësime. Pyetja ime është se si një akademi të mos pranojë transparencën e punimeve të veta. Aty ishin 2 akademikë nga 44, unë për arsye etike nuk bëj zëdhënësin por me aq sa di unë, unë nuk isha i vetëm në një pozicion që shkonte kundër asaj që kryesia dhe këshilli ekzekutiv donte, që të kthehej edhe njëherë tek presidenti që këtë kandidat shikojeni prapë. Nuk mund t’i kërkojmë presidentit rishikim sepse është pozicion juridik i panjohur. Pozicioni im, jemi në një mbledhje të paligjshme, po kërkojmë një gjë të paligjshme. Për mua presidenti është një pozicion”, tha Fuga.


Madje ai theksoi se mbledhje të jashtëzakonshme në shkenca nuk mund të ketë.
“Mbledhje të jashtëzakonshme nuk ka, terma ushtarakë në shkencë nuk ka. Për të intimiduar opinionin publik që të reagojë menjëherë në këtë amulli. Ne nuk jemi shoqëri jodemokratike por shoqëri kaotike. Unë pyes ç’është kjo mbledhje e jashtëzakonshme. Mbledhje të jashtëzakonshme e thërret këshilli ekzekutiv që nuk ka të drejtë të thërrasë mbledhje. E dyta hajde të kërkojmë që presidenti të rishikojë një vendim. Kur unë them 1 akademik përtej fushës së studimeve është anëtar i një turme, si çdo turmë. Këtë i thashë dhe këtu qëndroj. Diskutimet nuk është se ishin të gjallë. Kishte dhe nja dy diskutime të tjera dhe më pas u votua për një gjë që nuk janë kompetentë”, u shpreh Fuga.

Akademiku i njohur tha se ka kërkuar edhe votim të mbyllur por se nuk është pranuar.
“Ne në shkencë kemi kritere të tjera. Unë iu thashë nëse doni të votojmë, votojmë mbyllur, jo hapur. Hapur nuk ka demokraci. Iu tregova ligjin”, deklaroi Fuga.

Tetë ditë më parë, Presidenti Ilir Meta refuzoi dekretimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave. Në refuzimin e kandidaturës, Meta vlerëson se ka qenë vetëm një kandidat në garë. Ndër të tjera në arsyetim thuhet se akademiku Gjinushi, dorëzoi kërkesën për kandidim ndërsa mbante ende funksionin e kryetarit të PSD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb