TIRANË- Është mbledhur sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit Komisioni i Reformës në drejtësi, por pavarësisht kthimit në jetën parlamentare, opozita nuk ka marrë pjesë. Në mbledhjen e sotme kanë qenë të pranishëm ekspertë vendas dhe të huaj. Komisioni do të ketë 11 anëtarë, 6 mazhoranca dhe 5 opozita, ndërsa do të drejtohet nga deputetja e PS-së Vasilika Hysi. Ngritja e komisionit është kundërshtuar nga opozita e cila kërkon që reforma të bëhet jashtë Parlamentit.

Pavarësisht kërkesës së opozitës që reforma në sistemin e drejtësisë të zhvillohet jashtë Kuvendit, mazhoranca ka vendosur dje që të ngrejë sot komisionin e posaçëm parlamentar për këtë çështje. Vendimi është marrë nga Konferenca e Kryetarëve, e cila ka miratuar dje kërkesën e kryetarit të komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, për të përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme edhe projektvendimin për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën në sistemin e drejtësisë.

Siç bën të ditur zyra e shtypit e Kuvendit, Xhafaj duke prezantuar këtë nismë, e cila mban firmat e 7 deputetëve të majtë, përfshi edhe ato të dy kryetarëve të grupeve parlamentare PS dhe LSI, ka theksuar se fillimisht parashikohet që puna e komisionit të kryhet për 6 muaj me të drejtën që të shtyhet në afate nëse është e nevojshme.

“Ky është një propozim i një grupi prej 7 deputetësh, siç kërkohet nga neni 24 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Kanë firmosur dy kryetarët e grupeve parlamentare dhe deputetë sipas kërkesës që ka neni përkatës i Rregullores. Komisioni është ndërtuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, e cila njeh si komisionet e përhershme edhe ngritjen e komisioneve të posaçme parlamentare, që natyrisht kanë objekt të përcaktuar dhe kohë të kufizuar”, tha Xhafaj.

Ndërkohë që sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, Kuvendi sqaron se ngritja këtij komisioni të posaçëm parlamentar është e parashikuar shprehimisht në Kushtetutë, si instrument i rëndësishëm në përmbushjen e funksionit legjislativ dhe është shprehje e përgjegjësisë për të adresuar një problematikë të gjithëpranuar, sikundër është mosfunksionimi në standardet e kërkuara të sistemit të drejtësisë në vend.

Më tej në njoftim thuhet se Konferenca e Kryetarëve, në këtë vendimmarrje shqyrtoi me përgjegjësi të gjithë hapat e ndërmarrë deri më tani nga ana e aktorëve institucionalë vendas dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

“Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të jetë forumi i përshtatshëm, ku të gjitha grupet parlamentare nëpërmjet anëtarëve që do të jenë pjesë e kësaj strukture, do të mund të analizojnë situatën aktuale, të përcaktojnë objektivat për përmirësimin e saj dhe në përfundim të hartojnë një paketë ndryshimesh të kuadrit normativ në fushën e drejtësisë, të tilla që të garantojnë mirëfunksionimin e sistemit dhe qëndrueshmërinë e tyre në kohë”, thuhet në këtë njoftim.

Më tej bëhet e ditur se Komisioni i Posaçëm në veprimtarinë e tij do të mbështetet në mënyrë thelbësore në ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare dhe do të asistohet nga ekspertë të Komisionit Europian (Misioni Euralius IV), Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID/OPDAT), Këshillit të Europës (Komisioni i Venecias), Prezencës së OSBE-së.

Por ajo që pritet me interes është qëndrimi që do të mbajë opozita ndaj këtij komisioni, kjo edhe për faktin se mazhoranca ka marrë në atë shumicën dhe drejtimin. Një përbërje dhe drejtim i tillë i jep mundësinë mazhorancës që, pavarësisht qëndrimit që do mbajë opozita ndaj kësaj reforme, komisioni të mund të vijojë punën pa asnjë pengesë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb