TIRANË 

Gati tre orë ka zgjatur mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste mbrëmjen e sotme. Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali foli pas mbledhjes për mediat duke dhënë detaje. Ajo tha se në mbledhje u diskutua për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Sipas Spiropalit, po punohet për kandidatët dhe në bazë të afateve që jep edhe kodi, shumë shpejt do përcaktojmë dhe koalicionet dhe kandidatët.

Ps (2)
Ps (2)

Kur do jetë asambleja dhe kur do nxirren kandidatët e PS?
Ne jemi duke punuar, sot ishte mbledhja e Kryesisë, pra filloi puna për organizimin në territor dhe shumë shpejt në bazë të afateve që jep edhe kodi, sigurisht që do bëhen publike nga KQZ-ja ne do përcaktojmë edhe koalicionet, do nxjerrim edhe kandidatët. Afati i fundit në dijeninë time është 13 maji

Çfarë risie do të ofrojnë kandidatët e PS?
Ne do bëjmë përzgjedhjet më të mira. Kemi shumë kandidatë, do zgjedhim në bazë të kontributit që kanë edhe votave që sjellin në PS, CV-ve të tyre të pastra e me radhë. Do iu ofrojmë shqiptarëve zgjedhjet më të mira për bashkitë.

Do kandidoni ata që kanë më shumë se 3 mandate?
Kjo është çështje që është për t’u diskutuar në Asamblenë dhe Kryesinë e Partisë Socialiste.

Nesër opozita do të bllokojë disa nga akset kryesore të vendit. A mendoni se kjo do ta tensionojë më shumë klimën politike në vend?
Është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të opozitës për të tensionuar gjendjen në vend, për të sjellë destabilitet dhe për ta kthyer Shqipërinë shumë pas. Ne jemi të vendosur ta çojmë Shqipërinë përpara. Nuk do çedojmë në asnjë moment për ta bërë këtë duke vendosur ligj, duke garantuar siguri për qytetarët dhe duke garantuar në fund edhe një proces zgjedhor që e çon Shqipërinë më pranë standardeve europiane.

Një proces që në fund mund të ketë 10% votues, do të njihen zgjedhjet?
Ne do hyjmë në zgjedhje. Gjithçka tjetër, pjesëmarrja, kontributi i qytetarëve do të varet nga oferta politike të cilën ne patjetër jemi të vendosur ta japim maksimale dhe t’iu garantojmë atyre zgjedhjet më të mira.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb