Trupa gjykuese e Kolegjit të Apelimit ka vendosur të marrë dy prova lidhur me ankimimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e vettingut ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Bëhet fjalë për dorëheqjen e Llallës si prokuror në vitin 2008 dhe prova e dytë urdhër largimi nga detyra i Prokurorit të Përgjithshëm në dhjetor të vitit 2017.

Avokati Sokol Hazizaj, ka kërkuar 10 ditë kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare dhe kjo kërkesë është pranuar nga trupi gjykues që ka vendosur se seanca e radhës do të jetë në 6 qershor në orën 13:00.

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla do të përfaqësohet nga avokati i tij Sokol Hazizaj në shqyrtimin e ankimimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kundër vendimit për pushimin e Vetting-ut ndaj tij. Ai ka dërguar një prokurë nga Turqia ku i jep të gjitha të drejtat avokatit të tij Sokol Harizaj për ta mbrojtur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit

Kreu i trupit gjykues, Sokol Çomo lexoi prokurën dhe më pas trupa e gjyqtarëve u tërhoq për të marrë vendimin nëse kjo prokurë është e vlefshme apo jo.

“Jemi para një akti zyrtar në paraqitjen formale të hartuar në shtetin turk. Kemi aktin të hartuar në gjuhën turke, është përkthyer dhe në gjuhën shqip. Akti është i pajisur edhe me vulën apostile sipas konventës së Hagës. Përmbajtja: Po e lexoj përkthimin në shqip: Emëroj si përfaqësues ligjor avokatin Sokol Hazizaj, të cilit i jap të gjitha të drejtat që parashikon ligji për të më mbrojtur në mungesën time para çdo institucioni publik. Në kushtet kur kam marrë dijeni për orën dhe datën se në Kolegjin e Apelimit do të gjykohet në seancë gjyqësore publike për ankimimin që komisionieri publik ka bërë për subjektin e rivlerësimit Adriatik Llalla. Në kushtet kur e kam të pamundur të paraqitem, autorizoj si përfaqësues të posaçëm ligjor avokatin Sokol Hazizaj për të më përfaqësuar. Të gjitha veprimet e kryera nga avokati i cilësoj të vlefshme e të mirëqena”, deklaroi Çomo.

Ndërsa Komisionerët thanë se nga pikëpamja formale duket e vlefshme, por i kërkuan gjyqtarit Çomo të vlerësojë përmbajtjen.

Më pas trupi gjykues u tërhoq për të bërë vlerësimin kësaj prokure, e cila u quajt e vlefshme, çka solli edhe vendimin e shqyrtimit të ankimimit.

“Trupi gjykues arriti në konkluzionin se avokati Sokol Hazizaj i ka tagrat e përfaqësimit për të vazhduar rivlerësimin dhe në mungesë të Llallës. Ndaj e deklaroj shqyrtimin të hapur”, tha gjyqtari Çomo.

Trupa gjykuese përbehet nga pesë gjyqtarë mes të cilëve dhe ish-kryeprokurorja Ina Rama, Sokol Como, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari, ndërsa relator i çështjes është caktuar me short gjyqtari, Luan Daci.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb