TIRANE– Komisioni për Zgjedhjet në PD u mblodh ditën e sotme për më shumë se dy orë, ndërsa në fokus ishte caktimi i rregullores së fushatës që do të ndiqet për kreun e ri të PD-së, zgjedhje që do të mbahen më 22 korrik.

Ashtu siç ishte parashikuar, takimi nisi në orën 10:00, ndërsa përfundoi në 12:20, për t’u rimbledhur sërish në orën 13:00. Ndërkohë në mbledhje ishin të pranishëm Lulzim Basha si dhe rivali i tij, Eduard Selami. Burimet nga mbledhja pohuan për ‘BalkanWeb’ se dy kandidatët do të mbajnë fushatë të ndarë, por në disa raste do të dalin edhe bashkë. Të njëjtat burime theksuan se në mbledhje u diskutuan të gjitha pikat e rregullores, ndërsa dokumenti përfundimtar do të bëhet publik nga Jemin Gjana, kreu i Komisionit Zgjedhor të PD-së.

Po ashtu, Burime nga mbledhja pohuan për ‘BalkanWeb’ se komisioni po diskuton që të marrin pjesë në votim edhe anëtarësia e vjetër që kanë kartë anëtarësimi, por që s’janë në lista elektronike për ta bërë procesin gjithëpërfshirës.

Kryesia e Partisë Demokratike votoi mbrëmjen e djeshme me asnjë votë kundër anëtarët e Komisionit të Votimit me rastin e zgjedhjeve brenda PD-së.

Sakaq, grupi anti-Basha kërkoi ndryshim të rendit të ditës në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së PD. Kërkesa për ndryshimin e rendit të ditës u lexua nga Gent Malko, drejtues i Departamentit të Pronave në PD. “Kryesia të anulojë procedurën e nisur për kryetarin e PD. Procedura për kryetarin e PD është anti statutore. Kërkesa për rend dite të hidhet në votim të fshehtë. Kjo kërkesë mbështetet nga 1/6 e anëtarësisë”, tha Malko. Kjo kërkesë hodh në votim, dhe mori vetëm 11 vota pro, duke u rrëzuar kështu pretendimi i grupit anti-Basha.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: