Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga teatri Kombëtar, atje ku u iniciua edhe aksioni për mbledhjen e ndihmave për të prekurit nga tërmeti, shprehu mirënjohje për kontributin e artistëve dhe të gjithë atyre që iu bashkuan kësaj nisme.

Teksa e cilësoi Teatrin Kombëtar monument i solidaritetit dhe qëndresës, Basha tha se sot kjo godinë nxorri ‘lakuriq’ qeverinë prej kartoni.

“Ndjehem thellësisht mirënjohës ndaj jush. E para që dua t’ju them është se keni një meritë të jashtëzakonshme: Ju e nxorët mbretin lakuriq!Tha që Teatrin do ta rrëzojë tërmeti. Tërmeti i korrupsionit, i babëzisë; ja ku është Teatri.
E dyta që dua t’ju them është që, për fat të keq, tërmeti i babëzisë, i korrupsionit dhe hajdutërisë, e ka rrëzuar shtetin prej kartoni. Unë po vij nga një fshat 90% e shtëpive të të cilit janë të shkatërruara.
I kam lënë banorët nën qese, me fëmijët nën qese, dhe nuk ka shkuar askush t’i shohë. Pa çadra, pa ushqim, pa kujdes, pa asnjë orientim nga shteti i kartonit që ka rrëzuar tërmeti i babëzisë dhe korrupsionit. Jo tërmeti natyror se atij nuk ke çfarë t’i bësh, por ai i korrupsionit dhe babëzisë ka shkatërruar një shtet të tërë. E pamë sesi i la efektivat tanë duke gërmuar me duart e zhveshura për të shpëtuar jetë, apo si i ka lënë njerëzit në mëshirë të fatit.
Ky është tërmeti i babëzisë, që Teatrin nuk e rrëzoi dot, por për fat të keq, na ka rrëzuar shtetin dhe ka treguar se kemi një shtet prej kartoni.
Kam një keqardhje të madhe edhe si prind, si qytetar, edhe si politikan, kur shoh ata njerëz që i kemi lënë ashtu, i kemi tradhëtuar dhe i kemi lënë në dorë të korrupsionit e të babëzisë.
E treta që dua t’ju them është që ju, Teatri Kombëtar dhe Astiri jeni dy monumentet e rezistencës dhe solidaritetit. Nuk jua them këtë për t’ju dhënë thjesht forcë e kurajo, sepse ju, me këto ndihma që keni mbledhur e që kanë shkuar kudo, në çdo vend, i keni dhënë forcë e kurajo të gjithëve. Por jua them për një arsye fare të thjeshtë. Me gjithë atë presion, sulme, sharje, fyerje , arrestime, goditje që ju kanë bërë ju dhe atyre të Astirit, prapë se prapë, në një ditë të zezë të vendit, treguat sa të madhe e keni zemrën dhe ditët t’i qëndroni afër çdo shqiptari në nevojë”, deklaroi Basha.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ai tha më tej se kurrë më shumë sesa sot që kemi nevojë për akte dhe jo për fjalë. “Aktet tuaja flasin vetë. Këtu në qendër të Tiranës më duhet të them se ndihma juaj, kudo që kam shkuar, ka bërë diferencën: Do të flinin njerëzit me barkun bosh apo me barkun plot, do të ngrinin nga i ftohti apo do të kishin një batanije apo diçka më shumë për të veshur.
Ju faleminderit nga zemra ju, që e keni zemrën kaq të madhe dhe çdokujt tjetër që ka ndihmuar dhe ndihmon në këtë orë të zezë për mijëra prej bashkëqytetarëve tanë.
Kjo na tregon që, megjithëse shteti prej kartoni është shembur nga tërmeti, prapë kemi një lajm të mirë, që e keni nxjerrë ju, e ka nxjerrë Aleanca për Teatrin, e ka nxjerrë Astiri. Lajmi i mirë është që ne jemi një familje e fortë! Jemi një komb i fortë! Jemi të gjithë bashkë!
Në raste të tilla ne bëhemi të gjithë bashkë, pa dallime partiake, pa dallime politike. Ne dimë të qëndrojmë bashkë, edhe kur korrupsioni dhe babëzia na e kanë rrëzuar shtetin prej kartoni, por jo solidaritetin njerëzor, as këtë Teatër dhe as zemrën e këtij Teatri që jeni ju, janë njerëzit”, tha Basha.

Ndërkohë regjisori Robert Budina tha se aktivistët e Aleancës për Teatrin u sulmuan në mënyrë të qëllimtë, teksa u tentua që të merrej nga policia juristja Adriana Kalaja, pasi ajo filmoi teksa disa ndihma për të prekur nga tërmeti po shkarkoheshin nga një makinë, duke u futur në Ministrinë e Brendshme. “Ne u sulmuam në mënyrë të qëllimshme, një goditje ndaj një shembulli që po jepej për qytetari. Goditja ndaj zonjës Kalaja”, tha Budina.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb