TIRANE – Mbipopullimi i burgjeve tona dhe ideja e hedhur për ngritjen e burgjeve private ose ditore. Shkelja e të drejtave të njeriut, siguria e të dënuarve, hakmarrjet ndaj drejtuesve të burgjeve dhe testimi i punonjësve të burgjeve. Për të gjitha këto u diskutua sot në emisionin “Njerëz në Fokus”, të moderatores Ola Bruko, ku ishin të ftuar: Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, kryetarja e nënkomisionit për të drejtat e njeriut, Vasilika Hysi, ish-drejtoresha e burgut 325, Marinela Soto, drejtoresha e mekanizmit për parandalimin e torturës në AP, Jorida Rustemi dhe Valentin Macaj, kryetar i Sindikatave të Shërbimeve Policore.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve theksoi se mbipopullimi në institucionet e paraburgimit nuk është ndikuar nga arrestimet e kryera për vjedhjen e energjisë elektrike.
“Mbipopullimi ka të bëjë me zhvillimin e politikave penale dhe prioritetet e qeverisjes. Ka patur një politikë të ashpër për vepra të caktuara kriminale që ka sjellë një numër arrestimesh më të madh. Mbipopullimi nuk është diçka që u zbulua sot. Në sistem kemi 111 të paraburgosur të arrestuar për vjedhje të energjisë elektrike. Eshtë një shifër që nuk ndikon absolutisht. Ne kemi qenë të orientuar drejt garantimit të të drejtave dhe aplikimit të aktiviteteve apo programeve dhe jo pa qëllim së fundmi kemi iniciuar projekte pilot që kanë të bëjnë me eliminimin e abuzimeve”- deklaroi Zoto.
Ndërkohë, sipas drejtoreshës së mekanizmit për parandalimin e torturës në AP, Jorida Rustemi, situata është alarmante përsa i përket mbipopullimit në burgje. “Mbipopullim nuk do të thotë vetëm njerëz që flenë përtokë, nuk do të thotë vetëm kaq. Janë vështirësi jo vetëm për personat që janë brenda por edhe për stafin që punon atje.”-deklaroi Rustemi.
Për deputeten socialiste Vasilika Hysi, mbipopullimi në burgje lidhet kryesisht me tendencën e kriminalitetit, që është rritur, ndërsa burgjet janë ende ato që kanë qenë.
“Mbipopullimi është në nivele të larta. Nuk është thjesht ndryshimi i politikës penale për vjedhjen e energjisë apo drejtimin e mjetit, varet nga gjendja dhe tendenca që ka kriminaliteti. Eshtë 3-4 fishuar në disa forma. Në total kriminaliteti është 2-3 fishuar. Ne kemi po ato burgje që kemi pasur, ndërkohë që kriminaliteti ka ndryshuar. Kemi shtuar numrin e veprave penale, kemi ashpërsuar në kodin penal minimumet dhe maksimumet e dënimit. Unë kurrsesi nuk jam për burgje të reja, por për një qasje tjetër të politikës penale”- deklaroi Hysi.
Ish-drejtoresha e burgut 325, Marinela Soto tha se është Ministria e Drejtësisë ajo që duhet të bëjë përpjekje për të ngritur strategji për të përballuar dhe adresuar mbipopullimin në burgje.
Lidhur me ushqimin që institucionet e vuajtjes së dënimit u servirin të burgosurve dhe paraburgosurve, drejtori i burgjeve siguroi se ushqimi është i mirë dhe shumë cilësor.
“Ushqimi është shumë cilësor dhe shumë i mirë. Por ata preferojnë ushqime nga familja, institucioni u garanton ushqim cilësor që me të vërtetë është shumë i mirë”- deklaroi Zoto.
Lidhur me iniciativën për aplikimin e burgjeve private dhe regjimeve të hapura, drejtori i burgjeve shpjegoi: “Jemi shumë të qartë se si do aplikohen. Ka praktika shumë të mira. Regjimet e hapura janë një fazë e ndërmjetme ndërmjet kryerjes së dënimit dhe lirimit në shoqëri. Të dënuarit do të kenë mundësi të punësohen dhe në mbrëmje të kthehen në institucion. Kalimi nga institucionet e dënimit në institucionet e hapura do bëhen mbi bazën e një analize risku individual për secilin të dënuar. Do të jenë një kompleks elementesh në bazë të të cilit do të kalohet drejt burgjeve të hapura. Do aplikojmë burgjet private. Kompanive private do tu jepen burgjet të menaxhohen me koncesion për një afat kohor që do varjojë. Eksperiencat më të mira na sjellin modele të ndryshme dhe ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Strategjia është e qartë, orientimet janë të qarta”.
Ish-drejtoresha e burgut 325 e shikon me rezerva aplikimin e modelit anglez lidhur me burgjet private. “Idenë e burgjeve private unë do ta merrja me shumë rezervë, sepse që të funksionojë kërkon një tesut të veçantë të shërbimeve dhe koordinimit të shërbimeve. Anglia është nga vendet ku studimet e kanë konsideruar të dështuar praktikën e burgjeve private. Rastin e Anglisë do ta shikoja me rezervë për ta marrë si model”- deklaroi Soto.
“Personalisht jam më tepër për burgjet me regjim të hapur se burgje private. Burgjet private janë kthyer në industri fitimi, nëse atë fond do t’ia japësh një kompanie private do të llogarisë edhe pjesën e fitimit dhe të menaxhimit. Do rritet teknologjia, por të dënuarit kanë nevojë për njerëz.”- deklaroi Vasilika Hysi.
“Nuk kanë rezultuar të jenë eksperienca fort pozitive. Gjeja që duhet bërë duhet të jetë pikërisht ulja e kriminalitetit në vend. Ka zbulueshmëri më të mirë të krimeve, ka ashpërsim të politikave penale në parim, ka nga ana tjetër një lloj frike për të dhënë dënime alternative dhe jepet arresti me burg pa marrë në konsideratë se cili është kapaciteti i këtyre institucioneve. Në parim ne jemi pro burgjeve private, por nëse do të shihen të gjitha kushtet që këto burgje të funksionojnë. Nuk besoj se Shqipëria është në gjendje që të japë një performancë të mirë në këtë drejtim.”- u shpreh Jorida Rustemi.
Ndër të tjera, drejtori Zoto siguroi punonjësit e burgjeve se testimi i tyre nuk ka për qëllim ndëshkimin dhe askujt nuk do t’i rrezikohet vendi i punës.
“Ne si drejtori e përgjithshme duke vlerësuar aftësitë, njohuritë jemi të detyrueshëm të bëjmë një vlerësim të aftësive dhe njohurive pasi planet vjetore të trajnimit do t’i hartojmë në bazë të nevojave që ka stafi. Stafit i kërkohen aftësi fizike, aftësi që kanë të bëjnë më komunikimin, njohjen e të drejtave të njeriut. Ne duam të krijojmë një kulture menaxheriale që individi të rritet, të zhvillohet në karrierë dhe të zhvillojë njohuritë e veta bashkë me organizatën. Testimi nuk ka për qëllim ndëshkimin, por vlerësimin, analizimin e njohurive apo aftësive që ka stafi për të kryer detyrën. Do të bëjmë të mundur se çfarë lloj trajnimesh do t’i nënshtrohet ky individ. Personat që kanë mungesë aftësish, njohurish do bëjnë trajnim specifik”- deklaroi Zoto.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: