Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta merr pjesë në mbrëmjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë për promovimin e kulturës dhe të produkteve shqiptare.

PRISHTINË-Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta mori pjesë në mbrëmjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë. Pritja u organizua nga Ambasadori shqiptar në Kosove, z. Qemal Minxhozi me qëllim promovimin e kulturës dhe të produkteve shqiptare.

Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga bashkëshortja e tij, njëkohësisht edhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Monika Kryemadhi si dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti.

Në tryezën e ciftit Meta ndodhej dhe moderatori i njohur i spektaklit, si dhe kantautori i shumë këngëve, z Ardit Gjebrea.

Në fjalën e tij, Ambasadori shqiptar në Prishtinë, z. Minxhozi  shprehu nevojën e bashkëpunimit të mëtejshme mes dy vendeve dhe rritjen e shkëmbimeve bujqësore. Z. Minxhozi tha se produktet shqiptare duhen promovuar edhe më shumë në të dy anët e kufirit dhe në vendet e rajonit.

Kryetari i Kuvendit z. Meta zhvilloi disa takime të rëndësishme me aktorë të jetës politike në Kosovë, akademikë si dhe me trupin diplomatik të akredituar në Prishtinë.

Gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, Kryetari Meta i përcolli urimet më të përzemërta për detyrën e re. Nga ana e tij, z. Kadri Veseli falënderoi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. Z. Meta dhe z. Veseli theksuan nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Një takim i veçantë ishte dhe ai me akademikun z. Rexhep Qosja si dhe me shumë personalitete të tjera të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Kryetari i Kuvendit u  takua me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj me të cilin biseduan për zhvillimet politike në të dy vendet dhe ndanë bindjen për intensifikim e marrëdhënieve të mëtejshme mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u takua edhe me  Ambasadore e SHBA-ve në Republikën e Kosovës, znj.  Tracey Ann Jacobson , ku u bisedua rreth zhvillimeve më të fundit në Kosovë dhe në rajon.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: