TIRANE

Në teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ditën e sotme do të jetë premiera e një ndër veprave më të njohura në botë, e cila do të vazhdojë të shfaqet edhe në javët në vazhdim.  Behet fjalë për një vepër shumë të njohur të repertorit dramaturgjik botëror, “Mbretëresha e Bukurisë”, e cila vjen me regjinë e Kico Londos.

“Mbretëresha e Bukurisë” është një komedi e shkruar nga autori Martin Mekdonah, e cila u ngjit në skenë për herë të parë nga kompania e Druid Theatre në Galluej, Irlandë, më 1 shkurt 1996. Është kandiduar për çmimin Lorenc Olivier si vepra më e mirë dramatike për produksionin e Londrës, dhe produksioni i Broduejit i vitit 1998 u kandidua për 6 çmime ‘Toni’, duke fituar 4. Kjo komedi tragjike vazhdon të shfaqet me sukses në skenat botërore. Vepra, e vendosur në malet e Konemarës në kontenë Galluej të Irlandës, rrëfen historinë me nota të errëta komike të Morin Folanit, një grua e zakonshme dhe e vetmuar në të dyzetat, dhe të nënës së saj manipuluese Meg. Ndërhyrja e Megit në mundësinë e parë dhe ndoshta të fundit të së bijës për një lidhje dashurie vë në lëvizje një tren me ngjarje sa komike, aq tmerruese, të cilat çojnë në fundin e pashmangshëm tragjik të pjesës.
Pjesë e kastit të aktorëve të kësaj shfaqje është aktorja dhe këngëtarja, Laura Nezha, e cila interpreton Morin. Në një intervistë për emisionin, “Chic” të moderatores, Fjodora Fjora në News24 ajo tregon për eksperiencën e saj si aktore në shfaqjen “Mbretëresha e bukurisë”.
Çfarë mund të flasim për personazhin e Morin?

Vepra është një komedi tragjike, sepse nuk mungojnë nuancat komike por është tragjike në thelb sepse përfundon me një vrasje. Marrëdhënia nënë e bijë është shumë e acaruar dhe e tensionuar gjatë gjithë kohës për shumë faktorë. E para ato jetojnë në një provincë të Irlandës në një kodër, në një territor të humbur. Mundësia e Morin 40-vjecares për t’u larguar nga ky realitet është shumë e vogël. Në momentin që në provincë shfaqet njëri nga djemtë që ka emigruar në Angli, ai shihet si mundësia e vetme për t’i shpëtuar realitetit e për t’u larguar nga atje. Drama e Morin është se si duhet t’i shpëtojë realitetit dhe drama e nënës është se kush do të kujdeset për të pasi dy vajzat e tjera e kanë braktisur

Është një lloj ngjarje që të kujton fatin e shumë vajzave shqiptare në provinca në vendin tonë. A je përpjekur të mbetesh thellësisht në Irlandë atje ku ndodhin dhe ngjarjet apo je përpjekur që t’i japësh nuanca më universale që ta përshtatësh edhe në realitetin shqiptar.

Morin e takon edhe në realitetin tonë sidomos në ato rurale periferike. Pra është një histori që përsëritet çdo ditë ashtu siç ndodh me Morinën. Pra është një jetë e izoluar dhe e trishtuar që në fund sjell dhe tragjedinë. Morin është gjithandej. Në vepër preket dhe tema e emigracionit e cila është një plagë shumë e thellë që ka lënë gjurmë  edhe në jetët e personazheve.

Me regjisorin Kiço Londo ke bashkëpunuar edhe herë të tjera, kjo nuk është hera e parë?

Kur regjisori të ka besuar një rol kjo do thotë shumë. Do të thotë ndër të tjera që ti duhet t’ia shpërblesh atij por edhe publikut. “Mbretëresha e Bukurisë” në momentin që më është propozuar thjesht më është dashur kohë ta besoj dhe ta pranoj së pari, nuk kam thënë menjëherë ‘Po’. Ky rol për mua është i vështirë por është dhe një rritje profesionale. Unë jam e kënaqur se Morin nuk ka pika takimi me mua, ama ai agresivitet dhe vrazhdësi që ky rol kërkon, çmenduri më sfidon dhe më pëlqen që duhet ta kërkoj.

Pse njerëzit duhet të vijnë ta shohin këtë shfaqje? 

Kjo është një kryevepër, që njerëzit nuk duhet ta humbasin sepse do t’ju zgjojë reflektimin.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb