“Mbreti Lir” një nga tragjeditë më të mëdha të Uilliam Shekspir, do të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit Metropol, si premiera e cila do të çelë sezonin e ri artistik. Me regjinë e Jonida Beqos dhe një kast fantastik aktorësh, fundjavën e fundit të shtatorit dhe gjatë gjithë muajit tetor do të keni mundësinë të shihni një produksion jashtë të zakonshmes. “Mbreti Lir” e konsideruar nga kritika si një nga veprat më të rëndësishme dhe shumë aktuale e cila përshkruan dy prindër të moshuar; njëri Mbret dhe tjetri oborrtar i tij, të cilët refuzojnë fëmijët e tyre. Verbëria e tyre lëshon një furtunë ambicjesh dhe tradhëtish, ndërsa familja dhe shteti janë zhytur në një luftë të dhunshme për pushtet, e cila rezulton në përfundime të hidhura.
“Mbreti Lir” është një histori e dy familjeve jofunksionale, me dinamika të ndryshme, të cilat shumë prej nesh mund t’i njohin nga afër. Fëmijë që bëjnë komplot kundër baballarëve të tyre. Një mbretëri është në trazirë. Një komb i përçarrë nga shkrepëtimat e një lufte të afërt. Po çfarë e shtyn një mbret të qëndrojë përballë tre vajzave të tij dhe të pyesë se kush e do më shumë?! Çfarë e mirë mund të ndodhë kur Mbreti është i çmendur dhe budallai është i mençur?! Kur njerëzit e ndershëm ndëshkohen dhe internohen, kur një djalë kthehet kundër babait të tij?!
“Mbreti Lir” është një histori e lashtë me rëndësi të madhe në kohët moderne. Një kritikë e mendjes, moshës, nderit, mençurisë dhe besimit. Megjithëse ekziston institucioni i lashtë dhe tradicional i monarkisë edhe në kohët moderne, sot këta mbretër në botën perëndimore funksionojnë më shumë si firma publiciteti, ku imazhi është shumë më i rëndësishëm se sa përmbajtja; popullariteti i individit është shumë më i rëndësishëm sesa marrëdhëniet e vërteta njerëzore. Çfarë ne veshim në jetën e përditshme, nuk përputhet me çfarë ne jemi në brendësi”, shprehet regjisorja Jonida Beqo. Sipas saj kostumet gjithashtu janë frymëzuar nga familjet e pasura dhe të famshme të epokës së mediave sociale; moda e fundit për burrat dhe gratë e privilegjuar të shtresës së lartë.
“Mbreti Lir është një shfaqje. Mbreti Lir është një burrë. Një burrë i moshuar që dikur i madhërishëm, i cili çmendet në një stuhi të furishme “në mendjen e tij”. Rënia e Mbretit Lir ndodh për shkak të të metave të karakterin e tij dhe të metave të të tjerëve. Sepse Mbreti Lir është vetëm një njeri, kështu e trajtuam shfaqjen Mbreti Lir. Produksioni është një pasqyrim i jetës së njeriut, me të gjitha kënaqësitë, të metat, lavdinë dhe zemërimin e saj. Ajo trajton temat më njerëzore të dashurisë dhe tradhtisë, dhe u përpoqëm ta bëjmë këtë prodhim sa më njerëzor”, thekson Beqo. Shfaqja do te jetë në skenën e Teatrit Metropol përgjatë gjithë muajit tetor.
Shfaqja do të jepet në datat: 30 shtator, 1, 2, 6, 7, 8, 9, 13, 14, 15, 16, 20, 21, 22, 23, 27, 28, 29 30 tetor
Ora: 19:00.