SHBA- Presidenti i vendit, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Nju Jork është takuar me presidentin dhe themeluesin e Fondacionit Ndërkombëtar hebre “Raoul Wallenberg”, Baruch Tenembaum.

Kreu i shtetit shqiptar për post kreut të fondacionit, pati takim edhe me anëtarët e këtij fondacioni. Meta vlerësoi nismën e Tenembaum dhe të Fondacionit Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” për ta deklaruar Shqipërinë si “Shtëpinë e Jetës”, në respekt të kontributit që populli shqiptar dhe Shqipëria kanë dhënë për mbrojtjen dhe strehimin e një numri të madh hebrenjsh gjatë Holokaustit.

Presidenti Meta mbështeti idenë e organizimit në Tiranë të një ceremonie të veçantë për këtë qëllim dhe vendosjen e një pllakate në nderim të kontributit të popullit shqiptar.

Duke u ndalur në marrëdhëniet historike e tradicionale midis shqiptarëve dhe hebrejve, Presidenti Meta, nënvizoi se: “ishte kjo miqësi, si dhe kodi shqiptar i Besës, që bënë që gjatë Holokaustit, numri i hebrenjve në Shqipëri të shumëfishohej dhe për këtë ne shqiptarët jemi krenarë”.

“Asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve dhe tragjedi të tilla të së kaluarës me hebrejtë, apo edhe ato etnike të ndodhura në rajonin e Ballkanit, nuk duhet të përsëriten. Kurrë më!”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Nga ana e tij,  Tenembaum, e falënderoi Presidentin Meta për mbështetjen në realizimin e këtij projekti, si dhe nënvizoi mirënjohjen e thellë të hebrejve për rolin që kanë luajtur shqiptarët gjatë Holokaustit.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb