Një barazim është më mirë se një humbje. Duket se me këtë moto po ecën Elbasani këto javë të fundit, ku mjaftohet të thuhet se ndaj Teutës siguruan barazimin e katërt radhazi dhe të shtatin këtë kampionat.
Gjatë muajit tetor Elbasani pati mundësinë që të mos qëndronte thjesht në zonën e “Final 4”, por edhe të kapte vendin e parë, por nuk ia doli dot. Muajin që sapo lamë pas verdheblutë njohën vetëm barazime dhe për aq kohë sa qëndrojnë ende brenda objektivave nuk kanë ndërmend të kalojnë në panik.
Edhe pse nga ana tjetër, më të mërziturit janë tifozët që nuk e kanë kapërdirë dot këtë muaj pa fitore, duke qenë se pritshmëritë i kanë pasur të mëdha. Gjithsesi, shpresohet që të paktën të nisin nëntorin me këmbën e mbarë, edhe pse përballë do të kenë Dinamon, rivalin e vetëm që i ka mundur këtë edicion dhe për më tepër në “Elbasan Arena”. Një trepikësh ndaj bluve, nuk do të ishte thjesht një “hakmarrje”, por edhe një çlirim për skuadrën për të bërë hapin e madh drejt vendit të parë.
DËMTIMET – Nëse gjërat shkojnë keq dhe nuk ka rikuperime deri të hënën, Roberto Bordin do të duhet të luajë praktikisht pa mbrojtësit titullarë ndaj Dinamos. Thuhet kështu, pasi të tre lojtarët e prapavijës momentalisht kanë probleme dëmtimi. Emiljano Musta nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit për shkak të një shqetësimi në këmbë dhe mbetet për t’u parë nëse do të rikuperohet për të hënën. Si të mos mjaftonte kjo, dy Brunot, Telushi dhe Lulaj, lanë fushën të dëmtuar ndaj Teutës.
Dihet që mbrojtja dhe reparti i prapavijës ka qenë arma më e fortë e Elbasanit këtë sezon, duke qenë mbrojtja më e mirë me vetëm gjashtë gola të pësuar. Por, me problemet e “digës” para portierit Abalora, situata me Dinamon do të jetë një hall më vete, sepse nuk bëhet fjalë për të zëvendësuar vetëm një lojtar, por të gjithë repartin. Në një situatë emergjente me mbrojtjen, ndoshta Roberto Bordin do të detyrohet të heqë dorë edhe nga skema e tij e preferuar 3-5-2 dhe të përshtatë formacionin në bazë të kontigjentit që ka në dispozicion.
Megjithatë, përgjatë këtyre dy ditëve do të shihen të gjitha mundësitë dhe mënyrën sesi do të vijnë verdheblutë përballë Dinamos, në një kohë ku humbja as nuk mendohet, ndërsa barazimi do të ishte i tepërt, pasi në klub duan patjetër rikthimin e ekipit tek fitorja që mungon prej ndeshjes së Bylisit.