Aleanca për mbrojtjen e Teatrit dhe opozita e bashkuar kanë nënshkruar sot një marrëveshje që synon mbrojtjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar.

Artistët dhe opozitarët kanë rënë dakord të moj lejojnë zbatimin e projektit të përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e një Teatri të Ri.

Kontrata publike mes artistëve dhe opozitës në sallën kryesore të Teatrit Kombëtar përfshin angazhimin e PD jo vetëm në opozitë me mbështetjen e betejës së Aleancës në Mbrojtje të Teatrit, por edhe në qeveri me mbështetjen e artit dhe të kulturës.

Partia Demokratike angazhohet që, brenda vitit të parë nga momenti kur opozita të jetë në drejtimin e vendit, të rrisë buxhetin për artin dhe kulturën në nivelet më të larta të rajonit. Gjithashtu, PD në qeveri angazhohet që, në konsultim më artistët, të reformojë sektorët e artit dhe të kulturës, nëpërmjet decentralizimit të institucioneve kulturore, reformimin e ligjeve për shpërblimin e drejtë financiarë të artistëve dhe garantimit të të drejtave të autorit.

II. Lidhur me nevojën për një Reformë të vërtetë në art dhe kulturë:

Brenda 1 viti nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita e bashkuar do të jetë shumicë parlamentare, në konsultim me komunitetin e artistëve, do të nisë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës, për reformimin e sektorit të artit dhe kulturës në vend që synon:

1. Decentralizimin e institucioneve kulturore në dakordësi me komunitetin artistik dhe shndërrimin e institucioneve buxhetore të artit e kulturës në institucione të pavarura publike;

2. Reformimin e kuadrit ligjor për të garantuar statusin dhe të drejtat e profesionit të artistit, përfshi shpërblimin monetar të tyre;

3. Garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të autorit në Shqipëri;

4. Rritjen e buxheteve për artin dhe kulturën në nivelet më të larta të rajonit.

Që prej ditës së djeshme, artistët dhe qytetarët, mbështetur edhe nga ish-deputetët e PD dhe LSI kanë shkuar të mbrojnë teatrin me qëllim që siç thonë, të mos lejojnë nisjen e punimeve për shembjen e godinës së vjetër. Ata u përplasën dhe konfrontuan disa herë me policinë një ditë më parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb