Është mbyllur sot në orën 18:00 merkato e verës në “Premier League”.

Ndryshe nga vitet e tjera këtë herë kanë munguar blerjet e mëdha në sulm, por është vrenjtur një tjetër fenomen. Liverpool dhe Chelsea kanë shpenzuar respektivisht 75 dhe 80 mln euro për të blerë portier, duke i bërë më të shtrenjtët e historisë.

Në përgjithësi janë shpenzuar 300 mln euro më pak se merkaton e verës së shkuar. Këtë herë shuma totale ka arritur shifrën e 1 miliardë e 300 milionë euro.

Më të zhgënjyerit nga merkato kanë dalë tifozët e Manchester United, të cilët prisnin 1-2 goditje të mëdha nga klubi. Te ‘djajtë e kuq’ janë afruar braziliani Fred dhe mbrojtësi 19-vjeçar Dalot. Për këtë merkato të vakët i zhgënjyer ka qenë edhe Mourinho që pak ditë më parë deklaroi se me këtë ekip nuk mund të bëhet më shumë sesa sezonin e kaluar.

Ndërkohë në histori ka hyrë Tottenham që nuk ka bërë asnjë goditje në merkato. Në fakt diçka e tillë ishte e paralajmëruar pasi trajneri Pochetino pati deklaruar se ‘ekipi është i plotësuar dhe nuk nevojiten’ përforcime.

Klubi që ka shpenzuar më shumë është Liverpool, i ndjekur nga Chelsea dhe West Ham që mbyll podiumin.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb