TIRANË

Kuvendi i Shqipërisë çeli sot siparin e sezonit të ri parlamentar, ndërsa kreu i këtij institucioni, Gramoz Ruçi prezantoi disa nga prioritetet kyçe. Ai vuri theksin tek çelja e negociatave me Bashkimin Evropian, reformën zgjedhore si dhe nuk la pa përmenduar edhe reformën në drejtësi, të cilën maxhoranca e ka cilësuar si “kalin e betejës”.

Në fjalën e tij, kryeparlamentari iu përgjigj edhe kreut të shtetit, Ilir Metes, ku i kujtoi se Kuvendi i Republikës është tërësisht legjitim pasi i ka votat e mjaftueshme për të kaluar apo rrëzuar çdo ligj.

Seanca e parë parlamentare ka zgjatur rreth 60 minuta, ndërkohë nuk mungoi debati dhe replika mes Taulant Ballës dhe Rudina Hajdarit në lidhje me përfshirjen e emrave brenda strukturave politike, të cilët pas verifikimeve të kryera, rezultojnë të jenë subjekt i dekriminalizimit si rasti “Pjetri” në Shkodër apo “Kajmaku” në Vorë.

Deputetja Rudina Hajdari nuk harroi të hidhte akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të dy partive opozitare.  Ajo pohoi se largimi i deputetëve nga Kuvendi është bërë me urdhër të Bashës dhe Kryemadhit, ndërsa ky veprim shtoi ajo, e ka shndërruar kryeministrin Rama në një “perandor”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: