Akademia e Shkencave vë në lupë të gjithë punonjësit shkencorë të Akademisë së Studimeve Albanologjike. Një vendim i datës 19 dhjetor që mban firmën e Skënder Gjinushit, de facto, do të vendosë se cilët nga punonjësit shkencorë do t’i rrinë kostumit të qepur nga Akademia e Shkencave, në kuadër të shkrirjes së miratuar me VKM.
Sipas vendimit që posedon Balkanweb, me numër protokolli 918, Gjinushi autorizon ngritjen e dy komisioneve që do të marrin në shqyrtim punonjësit shkencorë.
Komisioni i parë, i përbërë nga Adem Bunguri, Aleksandër Dhima, Marenglen Verli dhe Paskal Milo do të vendosë për punonjësit shkencorë të Institutit të Arkeologjisë dhe Historisë.
Një tjetër komision, i përbërë nga Ethem Likaj, Afërdita Onuzi, Josif Papagjoni dhe Valter Memisha do të vendosë për punonjësit shkencorë të Instituteve të Gjuhësisë, Letërsisë, Antropologjisë dhe Qendrën e Enciklopedisë.
Sipas vendimit, kërkuesit shkencorë duhet që deri në datën 23 dhjetor të dorëzojnë pranë komisioneve vlerësuese, një CV, një listë të botimeve të tyre shkencore, pasqyrën e veprimtarisë së katër viteve të fundit dhe nëse komisioni e sheh të arsyeshme në raste të veçanta do të zhvillojë edhe intervista pune, çka sugjeron se të gjithë janë tashmë të pasigurt.
Vetëm tri ditë më pas, më 26 dhjetor, komisionet do t’i dorëzojnë vlerësimet Gjinushit, kreu i Akademisë dhe Memishës, rektor në detyrë i Albanologjisë.
Vendimi i Gjinushit lë të paqartë, së pari ku bazohet pasi nuk ka një VKM që sqaron ristrukturimin e instituteve albanologjike në njësi, dhe së dyti, se cili është fati i punonjësve shkencorë pas vlerësimeve e komisioneve.
Vendimi po aq sa i hap udhë shkrirjes, edhe vë në teh të thikës lirinë akademike, për të cilën, vkm-ja që i jep akademisë institutet u pa me kritika që në krye.