Policia e Kosovës ka thënë të mërkurën se do t’i intervistojë pesë persona, të dyshuar për “falsifikim të dokumeteve”, lidhur me pesë institucionet paralele serbe, në veri të Kosovës, të cilat janë mbyllur më 30 gusht.

Policia i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i ka bërë katër ftesa, ndërsa e pesta do të dërgohet më vonë.

Policia nuk ka bërë të ditur se për kë saktësisht bëhet fjalë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë se intervistat do të realizohen me kërkesë të Prokurorisë.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – të cilët kanë qenë në krye të organeve paralele serbe.

Ata janë arrestuar më 30 gusht në një aksion policor të kryer njëkohësisht në disa lokacione në veri të Kosovës.

Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.

Drejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh negociator kryesor në dialog, ka thënë përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se “ Kurti vazhdon të bëjë terror”, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës.

“Urdhri për marrjen në pyetje të liderëve të Listës Serbe, si të dyshuar, është tregues i persekutimit brutal politik të liderëve të serbëve nga veriu i urdhëruar nga Albin Kurti, i cili do të ketë pasoja të mëdha”, ka thënë Petkoviq, duke pretenduar që nëse do të formohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, “ne nuk do të ishim në këtë situatë sot “.

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur të premten pesë institucione paralele serbe, duke thënë se ato kanë vepruar nën udhëheqjen e Serbisë dhe “kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Perëndimi e ka kritikuar Kosovën për ato që i ka konsideruar si veprime të njëanshme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë se, veprimet për shtrirje të sovranitetit janë legjitime, por që suksesi varet nga bashkëpunimi me aleatët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb