Nga ARMIR MEHAJ*
PUKE – Edhe një muaj pas mbylljes  së minierës së Munellës, banorët  e zonës të cilët ishin të punësuar atje i gjen teksa presin  një përgjigje se çfarë do të ndodhë me fatin e  tyre, por një gjë e tillë duket se mbetet sërish mister.

Dyert e  minierës janë të gjitha të kyçura,  makineritë  janë stacionuar, ndërsa në zyrat e  kompanisë  tashmë qëndron vetëm një shtetas turk, roli i të cilit është të mbikëqyrë stacionin e pompave,  i cili duhet të mbahet në funksion siç tregojnë banorët.

Punonjësit e sigurisë tregohen të vëmendshëm, sapo shikojnë të huaj, ndërkohë që çdo  gjë në Munellë,  një zonë  rreth 1200  metra mbi nivelin e  detit, duket  se e ka pllakosur heshtja ndjella keqe.

Punonjësit  që gjejmë pas portës tregojnë se koncesionari ju dha pushim në 1 shtator për dymbëdhjetë  ditë, por që nuk u pranuam më në punë, dhe akoma sot e kësaj dite janë pa punë dha pa një përgjigje nëse duhet të presim apo jo.

Kreu i sindikatës së Minatorëve të Munellës,  Vasil Ndoj, i cili qëndron me  punonjësit që  janë  banorë të  zonës,  tregon se nëse shteti nuk ndërhyn shpejt për zgjidhjen e problemit atëherë  miniera e  Munellës  rrezikohet seriozisht qe të kthehet në të papërdorshme.

“Nëse miniera qëndron pa punë për gjatë, ajo rrezikon të  shembet  pasi  sistemi i saj është i tillë që aq sa mineral hiqet aq  mbushet me inerte.  Nëse ndodh një gjë e tillë do të jetë fatale, pasi do të jetë i pamundur  koncesioni dhe për kompani të tjera që mund të hyjnë këtu” – tregon Ndoj

Kaosi  social- ekonomik i krijuar në zonën e  thellë malore  pas ndërprerjes se  aktivitetit të Ber Alb, ka vënë në fije të perit  fatin e  qindra  familjeve, pjesëtarët e të cilave ishin të punësuar  pranë  kësaj kompanie. Sikur të mos mjaftonte  mungesa  e  punës,  70%  e  ish- punonjësve të kësaj kompanie rezultojnë të  jenë kreditorë në banka të ndryshme.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: