Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar sërish pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për mbylljen me të paktën 1 vit të rrjetit TikTok.

Bardhi shkruan se “modeli dhe ndikimi më i keq tek fëmijët është qeverisja e Edi Ramës”. Një ditë më parë Rama njoftoi mbylljen e TikTok pas konsultimeve të zhvilluara me prindërit e fëmijëve. Vendimi vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur rreth 1 muaj më parë, ku një nxënës i shkollës 9-vjeçare Fan Noli, qëlli për vdekje me thikë një bashkëmoshatarin e tij dhe plagosi një tjetër.

“Ajo i jep modelin fëmijëve se nëse vjedh bëhesh ministër; nëse vret apo trafikon drogë bëhesh deputet; nëse dhunon dhe bashkëpunon me bandat bëhesh drejtor policie; nëse je arrogant bëhesh kryetar bashkie; nëse je militant partie bëhesh drejtor shkolle; apo nëse je bandit emëron drejtorë dhe fiton tendera.

A nuk është më e shëndetshme për fëmijët dhe garanci më e madhe për mirërritjen e tyre që të mbyllim qeverinë e Edi Ramës?! Sigurisht që PO!

Boll është boll, 12 vjet keqqeverisje dhe gjithmonë një alibi e gatshme që faji është diku tjetër. E vërteta është që faji është tek papërgjegjshmëria e Qeverisë së Edi Ramës, tek mungesa e politikave të duhura në arsim, tek shndërrimi i shumicës së mësuesve në trupë elektorale”, shkruan Bardhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb