Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, theksoi se gratë dhe vajzat kanë qenë mbështetëse të palëkundura të vendimit për mbylljen e rrjetit social “Tik Tok”.
Ai nënvizoi se mbështetja e grave ka qenë shumë më e fortë se ajo e burrave.
“Nuk e di nëse do të kishim arritur të mbyllim TikTok dhe të mbrojmë fëmijët tanë nga rreziqet e mundshme pa ndihmën e nënave të nxënësve dhe të grave dhe vajzave mësuese, të cilat përbëjnë 80 për qind të trupës mësimore kombëtare. Por ajo që e di është se mbështetja e tyre për idenë e mbylljes së asaj platforme ishte pothuajse 100 për qind, ndërkohë që ajo e burrave ishte më e dobët. Di gjithashtu se ndotësit më të mëdhenj të rrjeteve sociale nuk janë gratë dhe vajzat, por grupe të tjera. Po ashtu, ata që shpërndajnë ndotje në debatin publik e mediatik janë kryesisht meshkuj,” u shpreh ai.
(Balkanweb)