Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang përballjen me përgjegjësitë reale dhe problemet e thella shoqërore, të cilat kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të mirëfillta. Në vend që të përballet me përgjegjësi e kurajë me problemet reale që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, qeveria zgjedh një zgjidhje të thjeshtëzuar dhe simbolike, duke e bërë “TikTok”-un “kokë turku” për të gjitha shqetësimet shoqërore. Kjo sjellje, që përngjan me logjikën e doktor Adhamudhit të Çajupit – “Të dhemb njëri sy? Kërreje të të shpëtojë tjatri!” – përfaqëson një përpjekje për të shmangur përgjegjësitë reale që kanë institucionet dhe prindërit neglizhentë për edukimin e brezave të rinj. Kjo qasje është e padrejtë qoftë në formë e qoftë në përmbajtje. Madje, mund të thuhet se është edhe e dëmshme, pasi shmang debatet e thella dhe të nevojshme për ndërtimin e një kulture teknologjike të përgjegjshme dhe përballimin e sfidave reale të epokës digjitale.
Por ajo që është më ironike dhe e hidhur me këtë vendim, është fakti se rasti i dhimbshëm i adoleshentit të vrarë nuk ishte pasojë e komunikimeve në “TikTok”, por në “Snapchat”. Megjithatë, me “Snapchat”-in nuk na e mban, sepse është kompani amerikane dhe, helbete, nuk bëhet shaka me “miellin e gjermanit”. Në rastin e “TikTok”-ut, që është kinez, është shumë më e lehtë. Duhet thënë se edhe pak surprizues që qeveria po merret me “TikTok”-un e nuk ndaloi “Telegram”-in, që në fund të fundit ishte rus dhe u përdor si mjeti kryesor i shpërndarjes së të dhënave konfidenciale apo sekreteve shtetërore që u hakeruan nga iranianët.
Vrasja që ndodhi te dera e shkollës “Fan Noli” dhe fenomeni i dhunës në shkollat tona në përgjithësi janë pasqyrime të një dështimi të thellë të sistemit arsimor në Shqipëri, që nuk ka arritur as të kultivojë karakter të përgjegjshëm, vlera morale dhe shoqërore e as të frymëzojë dashuri për dijen, shkencën, sportin dhe artin. Këto fenomene nuk janë pasojë e teknologjisë apo aplikacioneve, por simptomë e një sistemi që ka dështuar të përgatisë të rinjtë siç duhet për të qenë qytetarë dinjitozë të aftë për t’u përballur me sfidat e shoqërisë moderne. Shkollat tona, të cilat duhet të jenë vende edukimi dhe ndërtimi të karakterit, shpesh shndërrohen në hapësira ku mbizotërojnë indiferenca dhe tolerohet mediokriteti. Në vend që të nxisin mendimin kritik dhe kuriozitetin shkencor, shkollat kanë lënë një boshllëk të rrezikshëm, i cili është mbushur me modele toksike dhe sjellje destruktive. Dhuna, pra, nuk është një rast i izoluar, por një tregues i qartë i dështimit kolektiv për të ndërtuar një sistem arsimor që mbështetet mbi vlera, edukatë dhe zhvillim intelektual.
Përveç kësaj, vendimi kinse moralizues e edukativ për të ndaluar “TikTok”-un është një përpjekje për të eksternalizuar përgjegjësinë nga prindërit, të cilët e kanë vështirë ta pranojnë se kanë dështuar në edukimin e fëmijëve të tyre, duke ia lënë me lehtësi në dorë telefonat, sepse përtojnë të merren seriozisht me ata. Ndërkohë që fokusi përqendrohet te ndalimi i “TikTok”-ut, për të cilin mungojnë studime serioze që të demonstrojnë dëmin e tij, është shumë më e domosdoshme të nisë një fushatë kombëtare për ndërgjegjësimin e prindërve të rinj që të ndalojnë dhënien e telefonave të mençur fëmijëve të tyre. Studime të shumta shkencore tashmë kanë treguar se përdorimi i pajisjeve elektronike nga fëmijët mund të shkaktojë një sërë problemesh shqetësuese, si dëmtime në shikim për shkak të ekspozimit të gjatë ndaj ekranit, çrregullime të gjumit për shkak të ndërprerjes së cikleve natyrore të melatoninës, si dhe ankth dhe varësi nga pajisjet teknologjike.
Për më tepër, përdorimi i tepruar i telefonave nga fëmijët është i lidhur me probleme në neurozhvillim, përfshirë vështirësitë në përqendrim, vonesat në zhvillimin e gjuhës dhe problemet sociale që burojnë nga mungesa e ndërveprimeve të drejtpërdrejta me moshatarët. Por, ngaqë nuk guxon kush të thotë të vërtetën për përgjegjësinë e prindërve neglizhentë në këtë situatë, është më e lehtë të gjejnë “TikTok”-un si kokë turku. Në vend që të adresojnë problemin thelbësor të prindërimit të papërgjegjshëm, disa zgjedhin të godasin një platformë të vetme si fajtorin kryesor, një qasje që përkthehet në filozofinë e njohur: “Ngaqë nuk i bien dot gomarit, i bien samarit”. Në të vërtetë, është më produktive të përqendrohemi në ndërtimin e një kulture përgjegjësie dhe kujdesi ndaj fëmijëve, duke i drejtuar ata drejt një përdorimi të ekuilibruar dhe të shëndetshëm të teknologjisë. Vendimi për ndalim të “TikTok”- ut shpalos edhe një veçori tipike shqiptare: zellin për “t’u bërë më katolik se Papa”, duke ndaluar plotësisht diçka që SHBA dhe vendet e tjera perëndimore thjesht e kufizojnë.
Këto vende kanë implementuar disa nivele kufizimesh për aplikacionin, kryesisht për arsye privatësie dhe shqetësime mbi sigurinë kibernetike të lidhura me “ByteDance”, e cila ka lidhje me qeverinë kineze. Institucione të ndryshme, si Komisioni Europian dhe NATO, e kanë ndaluar përdorimin e “TikTok”-ut në pajisjet e tyre zyrtare, ashtu si dhe qeveritë qendrore të shumë vendeve në mbarë botën. Megjithatë, Shqipëria, ndryshe nga këto vende që flasin për dyshime dhe kufizime, për “TikTok”-un flet për ndalim të plotë. Kjo të krijon një ndjesi deja vuje të hidhur të revolucionit kulturor të udhëheqësit Mao Ce Dun, të cilin Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, nga zelli i tepruar, e shtyu edhe më tutje, duke ndaluar me ligj praktikimin e fesë dhe mbyllur me dhunë kishat dhe xhamitë, sepse ato konsideroheshin “opium për popullin”. Në këtë rast, nuk quhet më “opium për popullin”, por “rrugaçi i lagjes” dhe promovohet më lehtësia më e madhe mbyllja, pa e vrarë mendjen për shkeljen që i bëhet lirisë themelore të fjalës dhe shprehjes.
Ky veprim moralist i shtetit, që sillet si prind ndaj qytetarëve duke u imponuar atyre se çfarë është mirë dhe çfarë është keq, dhe duke damkosur “TikTok”-un me barrën e agjitacion-propagandës apo nenin famëkeq 55, vë në pikëpyetje rolin që duhet të ketë një shtet në demokracinë liberale. Për ta kuptuar sa i rëndë është ky akt, mjafton të shohim se cilat qeveritë “simotra”, të cilave shtete e kanë ndaluar plotësisht “TikTok”- un. Bëhet fjalë për vende si Afganistani, Indonezia, Bangladeshi, Somalia dhe Irani, që e kanë ndaluar këtë “rrugaç”, sepse deformon moralin e rinisë dhe nuk përshtatet me parimet e sheriatit. Këtu duhet shtuar se tingëllon shumë paradoksale që akuza për “kriminalizimin” e “TikTok”-ut vjen nga një qeveri, që dikur kishte mbushur parlamentin dhe pushtetin me individë të implikuar në aktivitete kriminale, të ekspozuar nga ligji i dekriminalizimit. Njëkohësisht, kjo qeveri ka emëruar në poste kyçe qeveritare funksionarë të shumtë, të cilët SPAK dhe komunikimet nga platformat “Sky ECC” dhe “EncroChat” po i zbulojnë si pjesë të rrjeteve mafioze.
Le të kthehemi pak te forma dhe metoda “all doktor Adhamudhi” e moratoriumit, për të parë efektshmërinë. Ashtu siç SHBA dështoi me prohibicionizmin e alkoolit, edhe vendi ynë nuk ka mundur të mbrojë pyjet me moratoriumin e prerjeve dhe aq më pak të ndërpresë bixhozin me heqjen e bastoreve, të cilat u transferuan “online”. Nëse ndalohet “TikTok”-u, qytetarët ose do të përdorin VPN, ose do ta transferojnë përmbajtjen te platforma të tjera të ngjashme si Lemon, Zigazoo dhe Clapper. Por, përtej talljes me nxjerrjen në bodec apo fletërrufenë e qeverisë ndaj “TikTok”-ut, le ta shqyrtojmë njëherë rrezikun që i vjen lirisë së fjalës dhe medias. Aq më tepër kur Shqipëria po përjeton tashmë një përkeqësim të lirisë së fjalës dhe mediave konvencionale, siç tregon raporti i përvitshëm i “Reporterëve pa Kufij”, ku Shqipëria në vitin 2024 ka rënë tri shkallë, nga vendi i 96- të në vendin e 99-të, mes 180 shteteve të marra në konsideratë. Mbyllja e “TikTok”-ut përbën një precedent të rrezikshëm, që jo vetëm ndikon në lirinë e medias së re, por mund të përdoret në të ardhmen si model për të kufizuar platforma të tjera, duke cenuar të drejtën e qytetarëve për t’u shprehur lirshëm dhe për t’u organizuar në aksion kolektiv. Platforma si “TikTok”-u janë përdorur më parë nga shoqëria civile dhe opozita për të denoncuar korrupsionin dhe abuzimet në regjime autoritare, siç u pa te protestat e mëdha në Iran, Myanmar dhe Hong Kong, duke dëshmuar rolin kritik të saj në amplifikimin e zërave të lirë që kundërshtojnë shtypjen. Duhet theksuar se ndalimi i “TikTok”-ut jo vetëm që kufizon lirinë e shprehjes dhe krijimtarisë, duke vendosur kështu një precedent të rrezikshëm për censurën digjitale, por gjithashtu sjell dëme ekonomike.
Platforma luan një rol të rëndësishëm ekonomik, duke ndihmuar të rinjtë e talentuar në industrinë kreative që të sigurojnë të ardhura falë imagjinatës dhe fantazisë së tyre. Po ashtu, “TikTok”-u kontribuon në ekonominë lokale duke u mundësuar bizneseve të vogla të rrisin të ardhurat e tyre dhe të arrijnë audienca më të gjera përmes marketingut kreativ. Duhet vënë në dukje gjithashtu se “TikTok”-u është një mjet i fuqishëm për promovimin e kulturës shqiptare dhe tërheqjen e turistëve ndërkombëtarë. Një shembull i kësaj është efekti pozitiv që pati dy vite më parë në promovimin e rivierës shqiptare, e cila u quajt “Maldivet e Europës” pas viralizimit të një videoje të famshme në “TikTok”. Për më tepër, platforma është kthyer në një lidhje të fuqishme me diasporën shqiptare, pasi shqiptarët në “TikTok” shpesh ndajnë gatime, veshje, këngë dhe valle tradicionale. Kjo ndihmon në mbajtjen gjallë të trashëgimisë kulturore dhe krijon një ndjenjë lidhje për diasporën me rrënjët e saj etnike. Përveç përmbajtjes argëtuese, “TikTok”-u ofron një gamë të gjerë videosh edukative dhe informative, që kontribuojnë në zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve. Së fundmi, duhet theksuar se “TikTok”- është sot rrjeti social më avangardë në botë, duke udhëhequr me inovacion mes qindra rrjeteve sociale. Madje, ai është shndërruar në një trend-setter që po imitohet nga platforma më tradicionale si “Instagram” dhe “YouTube”.
Prandaj ky ndalim gjithashtu minon përpjekjet e Shqipërisë për të qëndruar konkurruese në botën digjitale globale, duke penguar inovacionin dhe adoptimin e teknologjive moderne. Në këtë aspekt përpjekja për të ndaluar “TikTok”-un përngjan me luditizmin e fillimit të shekullit XIX, kur punëtorët britanikë, të udhëhequr nga Ned Ludd, shkatërronin tezgjahët mekanikë, duke i fajësuar për humbjen e vendeve të punës dhe përkeqësimin e kushteve ekonomike. Në vend që të përballeshin me ndryshimet strukturore të revolucionit industrial, ludistët fajësuan teknologjinë. Ngjashëm, ndalimi i “TikTok”-ut sot është një reagim sipërfaqësor ndaj një teknologjie specifike, duke shpërfillur faktorët themelorë si dështimi i sistemit arsimor, neglizhenca prindërore dhe mungesa e edukimit për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë. Në vend që të fajësohet një aplikacion, zgjidhja kërkon përpjekje për të adresuar sfidat sociale dhe institucionale që lejojnë këto probleme të shfaqen. Ndërhyrjet e tilla populiste janë po aq të paefektshme sa shkatërrimi i makinave nga ludistët, duke i zhvendosur përkohësisht shqetësimet, por pa i zgjidhur ato në rrënjë.
(BalkanWeb)