KAVAJE- Punonjësi i vilës në Golem ku u mbyt një fëmijë në pishinë gjatë ditës së sotme ka rrëfyer ngjarjen e rëndë. Në një prononcim për gazetaren Klodjana Haxhiaj, punonjësi Idai Zaka thotë se fëmija 4-vjecar, M.Xh kishte ardhur bashkë me gjyshen e tij, pasi kjo e fundit ishte punësuar aty.

Punonjësi thotë se ka nxjerrë të miturin nga pishina dhe ka tentuar t’i japë ndihmën e parë me frymëmarrje, por i mituri nuk kishte asnjë shenjë jete.

“Atë e kishte marrë gjyshja e vet që punonte këtu. Ajo e ka lënë fëmijën në katin e parë dhe është ngjitur lart në katin e dytë. Më pas e ka thirrur dhe nuk po e gjente. Kur shkuam tek pishina e gjetëm brenda. E nxora nga uji dhe u mundova t’i jap ndihmën e parë, por ai nuk kishte shenja jete”- ka thënë punonjësi i vilës, siç raporton ‘BalkanWeb’.

Ndërkohë mësohet se nëna e të miturit nuk e ka marrë vesh ende lajmin e kobshëm për humbjen e djalit të saj të vetëm. Trupi i të miturit është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore në spitalin e Durrësit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb